Portalb: Mbi 3 milinë euro Bilall Kasami u jep kompanisë familjare Bajrami

Tenderët milionëshe nga Komuna e Tetovës për kompani të familjes Bajrami, Kasami: Organet të veprojnë nëse kanë dyshime
28 Shkurt, 2024 1 minute read

Tenderë me shuma milionëshe nga Komuna e Tetovës kanë përfunduar në tre kompanitë tetovare në rrjetin e familjes Bajrami që nga viti 2021 e deri më sot. Bëhet fjalë për dy kompanitë e themeluara pak para zgjedhjeve lokale të vitit 2021, “Eco-Peu” dhe “Ereu-Trans” si dhe për kompaninë “Mujo-Bajrami” të themeluar në vitin 2011. Këto kompani sipas Sistemit Elektronik për Prokurime Publike janë përftuese tenderësh ekskluzivisht vetëm nga Komuna e Tetovës. Në total, vlera e kontratave të Komunës së Tetovës me këto tre kompani është mbi 182 milionë denarë apo afër tre milionë euro. Portalb.mk hulumtoi sa dhe çfarë tenderë kanë marrë këto kompani nga Komuna e Tetovës. I pyetur nga Portalb.mk, kryetari i Komunës së Tetovës hedh poshtë mundësinë për keqpërdorime, ftoi Prokurorinë dhe Revizionin të bëjnë hetime nëse kanë dyshime për këto tenderë.
Shoqëria për turizëm, hotelieri dhe shërbime “Eco-Peu DOOEL Tetovë” sipas të dhënave që Portalb.mk siguroi nga Regjistri Qendror i RMV-së është hapur me 10 maj 2021, me pronare Habibe Bajrami-n. Kompania ka vetëm një të punësuar. Por pavarësisht kësaj, kjo kompani në vitin 2023 ka marrë nga Komuna e Tetovës nëntë tenderë me shuma milionë denarëshe, ndërsa në vitin 2024 deri tani kjo kompani ka marrë dy tenderë përsëri me shuma milionëshe. Tenderët janë në fusha të ndryshme dhe disa nuk përkojnë me veprimtarinë e kompanisë. Shuma e përgjithshme nga të gjithë këto tenderë të fituar është mbi 65 milionë denarë apo mbi 1 milion euro.

Portalb.mk vizualizoi tenderët e fituar nga kjo kompani.

Ngjashëm, edhe Shoqëria për ndërtim, transport, tregti dhe shërbime “Ereu-Trans” u themelua pak muaj para zgjedhjeve lokale, me 27 maj 2021, vetëm 17 ditë pas themelimit të “Eco-Peu”. Pronare në këtë kompani figuron Xharie Bajrami. Edhe në këtë kompani, ka vetëm një të punësuar. “Ereu-Trans” në vitin 2023 ka fituar tre tenderë në shuma milionë denarësh. Shuma e përgjithshme nga të gjithë këto tenderë të fituar është mbi 89 milionë denarë apo mbi 1.4 milionë euro.

Në këtë rrjet të kompanive, vetëm Shoqëria për ndërtim, transport, tregti dhe shërbime “Mujo-Bajrami” është e themeluar më herët, me 23 shtator 2011, me pronar Gjemal Bajramin. Kjo kompani nga Komuna e Tetovës ka fituar në vitin 2021 një tender dhe në vitin 2022 tre tenderë disa milionë denarësh. Shuma e përgjithshme nga këto katër tenderë është mbi 27 milionë denarë apo mbi 440 mijë euro.

Të tre kompanitë e lartpërmendura sipas Sistemit Elektronik për Prokurime Publike kanë fituar tenderë nga asnjë institucion tjetër përveç se ekskluzivisht vetëm nga Komuna e Tetovës.

Portalb.mk pyeti kryetarin e Komunës së Tetovës, Bilall Kasamin se si u janë dhënë këto tenderë dy kompanive të reja “Eco-Peu” dhe “Ereu-Trans” të cilat figurojnë me nga një të punësuar, dhe me veprimtari ndryshe nga ajo që kanë marrë tenderët.

Kasami mohoi të ketë keqpërdorime, ndërsa theksoi se të gjitha procedurat janë bërë sipas ligjeve.