Lajmi për nominimin si kandidat për President të Maqedonisë së Veriut e gjeti ministrin e Jashtëm Bujar Osmani në Organizatën e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.
Në një mesazh falenderues për përkrahjen dhe mbështetjen që ka marrë në këto 24 orë, Osmani thotë se është në nderin e tij të jetë kandidati i parë shqiptar për President.
“Është nder i jetës time dhe me përuljen më të madhe dua të falenderoj kryetarin Ahmeti që më dha mundësinë që të jem bartës i një nga misioneve të tij, por edhe gjithë strukturave të partisë dhe shumë qytetarëve të papërcaktuar politikisht, të cilët u bënë pjesë e një platforme gjithëpërfshirëse shtetërore e cila thotë që jo me vetëm të jem kandidat me eksperiencë unike vendore dhe ndërkombëtare për president shteti por para së gjithash të jem bartës i një ideje që siç thotë Ali Ahmeti i ka ardhur koha”.
Kandidaturën e tij Osmani e sheh si pjesë të misionit për barazinë e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
“Zgjedhjet presidenciale janë një referendum për rrumbullakësimin e barazisë të plotë në vend dhe jam i nderuar që kandidatura ime është një ide e madhe dhe një mision i rëndësishëm në vargun e misioneve të realizuara që e institucionalizuan barazinë në shtet dhe vulosën dinjitetin institucional të shqiptarëve në vend”.
Edhe në Kombet e Bashkuara Osmani thotë se do të përsërisë sloganin që Bashkimi Demokratik për Integrim ka zgjedhur “Jo Rusisë dhe po Europës”.