Shtatë automjete të ndihmës së shpejtë sot i mori Shërbimi i Ndihmës së Shpejtë në Shkup, si donacion i BE-së. Bëhet fjalë për dërgesën më të re të ndihmës nga BE-ja të destinuar për sigurimin e kushteve më të mira për qytetarët në shëndetësi.
Euroambasadori Dejvid Gir i cili sot mori pjesë në pranim-dorëzimin e automjeteve, theksoi se ky është një shembull për mbështetjen që e jep BE-ja, ndërsa e cila do të ketë ndikim në cilësinë e jetës së shumë pacientëve.
“Shkupi, si qyteti më i madh, ka nevojën më të madhe për këto automjete. Donacioni i sotëm do të jetë në gjendje të zbusë mungesën e automjeteve të tilla. BE-ja ofron mbështetje aktive në fushën e shëndetësisë, me synimin për të përmirësuar shërbimet shëndetësore në këtë vend. Ne ndihmojmë gjithashtu në sistemin e transplantit si dhe në zbatimin e Strategjisë Kombëtare të Shëndetit dhe BE-ja do të ndihmojë gjithashtu në drejtim të përmirësimit të sistemit të skriningut dhe zbulimit të hershëm të kancerit, si dhe programit të parandalimit”, tha Gir.
Ai përkujtoi se nga viti 2021, Delegacioni i Bashkimit Evropian siguroi sisteme për rezonancë magnetike dhe për tomografi kompjuterike në tetë spitale në mbarë vendin. Por, siç nënvizoi, është i zhgënjyer nga raporti i revizionit shtetëror, në të cilin theksohet se mesatarisht vetëm 2.800 pacientë i kanë përdorur këto aparate.
“Shpresojmë që shpërndarja e këtyre sistemeve do të kontribuojë në ofrimin e shërbimeve jetike për qytetarët e këtij vendi. Por duhet të pranoj se isha i zhgënjyer dhe i shqetësuar nga raporti i revizionit shtetëror, i cili thoshte se zgjerimi i sistemeve të tilla të rezonancës magnetike dhe tomografisë kompjuterike në Maqedoninë e Veriut nuk rezultoi me rritjen e përdorimit të tyre”, tha Gir.
Ai shtoi se mesatarisht, sistemet për rezonancë magnetike ose tomografi kompjuterike në vendet anëtare të BE-së përdorin nga katër deri në nëntë mijë për një pajisje.
“Apeloj të përdoret maksimalisht pajisja e dhuruar e cila është në interes të pacientëve”, shtoi Gir.
Drejtori i Shtëpisë Shëndetësore Viktor Isjakovski sot gjatë pranim-dorëzimit të pajisjes, shprehu falënderim dhe theksoi se këto shtatë automjete do të jenë në ndihmë të mbi 700 mijë qytetarëve.
“Falënderim për këto shtatë automjete. Do t’i dëshmojmë ambasadorit Gir në Shkup se sa do të shfrytëzohen këto automjete. Tashmë ka filluar procedura për regjistrimin e tyre dhe gjatë ditëve në vijim automjetet do të lëshohen në shërbim të qytetarëve të Qytetit të Shkupit”, tha Isjakovski.