Presidenti i Napolit, Aurelio De Laurentiis, ka një arsye të vërtetë për shqetësim pasi klubi duket se do të humbasë mbi 100 milionë euro në të ardhura.
Napolitanët kanë qenë në një gjendje kaosi këtë sezon, që vije pas suksesit të tyre me fitimin e titullit të kampionit.
Klubi ka shkarkuar dy trajnerë, Rudi Garcian dhe Walter Mazzarrin, gjatë muajve të fundit pas një rënieje të rëndë në formë dhe rezultate.
Trajneri i Kombëtares së Sllovakisë, Francesco Calzona, është aktualisht në krye të skuadrës.
Napoli sërish nuk arriti të fitonte në përballjen e tyre të fundit në Serie A, ndaj Cagliarit të dielën, duke luajtur baras 1:1.
Kampioni në fuqi italian tani ndodhet në vendin e nëntë në tabelën, 11 pikë prapa Bolognas, që renditet e katërta.
Kësisoj, Napoli tani rrezikon seriozisht të mbetet jashtë Ligës së Kampionëve për sezonin e ardhshëm, por edhe nga Kupa e re e Botës për Klube, gara këto që sjellin mbi 100 milionë euro të ardhura së bashku për klubet pjesëmarrëse, raporton “Corriere Dello Sport”.
De Laurentiis thuhet se dëshiron me çdo kusht që klubi të kualifikohet në një garë evropiane edhe për sezonin e ardhshëm, teksa mbetet të shihet se si do ta mbyllë Napoli sezonin.