Majorka e siguroi kualifikimin historik në finale të “Kopa del Rej”, pasi në gjysmëfinale e eliminoi Real Sosiedadin. Përballja e dytë gjysmëfinale e luajtur në “Reale Arena” nuk prodhoi fitues gjatë kohës së rregullt dhe përfundoi me rezultatin 1:1. Edhe përballja e parë ishte mbyllur baras, por pa gola. Dhe, kjo ndeshje u vendos pas penalltive pasi edhe vazhdimet prej 30 minutave nuk dhanë fitues.
Piratët” kaluan të parë në epërsi me golin e Xhiovani Gonzalez (50′), teksa vendasit barazuan përmes Mikel Ojarzabal (71′). Në ekzekutimin e penalltive më të saktë u treguan futbollistët e Majorjkës, që triumfuan me rezultatin 4:5.
Vedat Muriqi në këtë ndeshje luajti si zëvendësues, duke u inkuadruar në minutën e 67-të. Sulmuesi kosovar e mori përgjegjësinë për të ekzekutuar penalltinë e parë për skuadrën e tij, të cilën e shndërroi në gol.
Majorka në finale do të takohet me Atletik Bilbaon ose Atletiko Madridin. Përballja e parë mes këtyre dy skuadrave ishte fituar minimalisht (0:1) nga Bilbao, kurse ndeshja e kthimit do të zhvillohet të enjten, në “San Mamesh”.