Ditë më parë u raportua se Carlo Ancelotti i kishte ofruar Luka Modricit mundësinë për t’iu bashkuar në stafin e tij nga sezoni i ardhshëm e tutje, duke i dhënë fund karrierës së tij si lojtar.
Kroatit i skadon kontrata në fund të sezonit dhe është i lidhur shumë me një largim nga Real Madridi pas një periudhe 12-vjeçare.
Pavarësisht moshës, Modric duket se ende synon të vazhdojë karrierën e tij si lojtar, edhe nëse largohet nga “Santiago Bernabeu”.
Kësisoj, “Relevo” raporton se 38-vjeçari ka refuzuar ofertën nga Ancelotti për t’iu bashkuar stafit të tij të trajnerëve.
Për më tepër, reprezentuesi i Kroacisë thuhet se e pa propozimin nga italiani si një mënyrë për të thënë se ai nuk është mjaft i mirë për të luajtur edhe më tej për “Los Blancos”.
Raportet e Modricit me klubin spanjoll dhe veçanërisht me Ancelottin janë përkeqësuar gjatë këtij sezonit për shkak të mungesës së minutave.
Duket se do të ketë një fund zhgënjyes për ish-mesfushorin e Tottenhamit te Real Madridi, klub për të cilin ka dhënë thuajse gjithçka nga vetja e tij.