Manoleva akuzon Petrovën e VMRO për bllokimn e punësimit të 1.117 personel shëndetësor

Shpreh shqetësim serioz për shkak të sjelljes së papërgjegjshme të zëvendësministres plotësuese të Financave nga VMRO-DPMNE, Elena Petrova, e cila e bllokon procesin e punësimit të 1.117 personave në shëndetësinë publike, deklaroi sot në konferencë për media zëvendësministrja e Shëndetësisë, Maja Manoleva.

Ajo theksoi se kjo jo vetëm që është e papërgjegjshme, por është edhe e rrezikshme për shëndetësinë tonë, për qytetarët dhe për të punësuarit në sistemin shëndetësor.

“Më lejoni t’ju kujtoj, Qeveria ka ofruar zgjidhje për statusin e shumicës së të punësuarve në shëndetësi me kontratë në vepër dhe në kohë të pacaktuar. Me vendim të Qeverisë është siguruar punësimi i 1.117 personave në sektorin e shëndetësisë. Por, këto punësime janë bllokuar nga zëvendësministrja plotësuese e Financave, Elena Petrova, vetëm pak ditë para zgjedhjeve, pa ndonjë arsye të veçantë, pa asnjë grimë përgjegjësi ndaj punonjësve në institucionet shëndetësore dhe pa një grimë kujdes ndaj pacientëve që kanë nevojë për kujdes profesional. Kjo nuk mund të lejohet”, nënvizoi Manoleva.

Ajo theksoi se askush, veçanërisht jo funksionarë në pushtetin ekzekutiv, nuk guxojnë të luajnë me fatin e 1.117 punonjësve të rinj shëndetësorë dhe të përfaqësojnë pengesë kryesore në punën e institucioneve shëndetësore.

Ajo shtoi se mjekët e rinj dhe shëndetësia në Maqedoninë e Veriut nuk janë temë për politikë, ata janë përfaqësues të shëndetit të qytetarëve dhe duhet të mbrohen dhe të ndihmohen në çdo aspekt, pa dallim të ngjarjeve politike në shtet.

Manoleva tha se një lloj të tillë të bllokadave nuk ka pasur deri më tani dhe nuk guxon që kjo të bëhet praktikë politike, sepse përparimi në sistemin shëndetësor në vend nuk guxon të varet nga sjellja e papërgjegjshme e individëve. Mjekët tanë, theksoi ajo, dëshmuan se këtu mund të bëhen intervenime të sofistikuara, nga operacionet më të ndërlikuara deri në transplante të cilat nuk kanë ekzistuar në të kaluarën.

Ajo shtoi se këta persona janë kyç për përparimin në shëndetësinë tonë, veçanërisht me numrin më të madh të kuadrove universitarë dhe spitale të përgjithshme të mëdha dhe shtëpitë e shëndetit.