Kryetari i Lidhjes së Sindikatave, Sllobodan Trendafillov, ka reaguar ndaj propozim-ligjit për angazhim në punë të personave për kryerje të punëve të natyrës së përkohshme dhe konsideroi se kjo zgjidhje ligjore është e papranueshme dhe e palejueshme të miratohet nga një vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Sipas tij, me këtë zgjidhje ligjore do të formalizohet ekonomia joformale dhe do të eliminohet nga ana tjetër Ligji për marrëdhënie të punës. Ndaj këtij propozim ligji, sindikalistët shohin se punëtorët do të shndërrohen në “robër modern” të cilëve do t’u paguhen kontribute prej rreth 290 denarësh në ditë, ndërsa punëdhënësi do t’i angazhojë dhe largojë kur të dëshirojë. Sindikalistët reagojnë edhe ndaj propozim-ligjit të ri për nëpunës administrativ me të cilin siç thuhet, pagat e administratorëve do të ulen për 2,500 denarë.
“Është e palejueshme në Maqedoni në shekullin 21, në një vend kandidat për anëtarësim në BE, të kthejmë dhe të formalizojmë ekonominë joformale. Përse? Për shkak se dëshirojmë gjithçka që është e paligjshme në këtë shoqëri ta bëjmë të ligjshme dhe në atë mënyrë të themi se tashmë nuk kemi dukuri joligjore. Është humbëse të propozoni ligj me të cilin do ta eliminoni Ligjin për marrëdhënie të punës. Është humbje të jepni deklarata dhe të thoni se zgjidhja e këtillë ligjore do të përhapet në të gjitha vendet e tjera të punës, përkatësisht në të gjitha veprimtaritë e tjera.”, – deklaroi kryetari i LSM-së, Sllobodan Trendafillov.
VMRO-DPMNE: 40 amendamente për ligjet e Ministrisë së Administratës
Grupi parlamentar i deputetëve të VMRO-DPMNE-së, pas takimit me sindikalistët, paralajmëroi se ndaj pakos së ligjeve të propozuara do të dorëzojë rreth 40 amendamente, me të cilën ata pretendojnë përmirësimin e zgjidhjeve ligjore.
“Për këtë arsye ne sot vendosëm që përmes komunikimit tonë të drejtpërdrejtë, t’i ftojmë sindikalistët në Kuvend të na i tregojnë vërejtjet e tyre dhe përmes debatit në Komision, dhe përmes amendamenteve tona edhe njëherë të tentojmë t’i bindim deputetët e shumicës parlamentare se nuk duhet të mbështesin këtë propozim ligjor, sepse i njëjti nuk do të jetë zgjidhje, por do të shkaktojë probleme shtesë në administratën e organizuar aktuale.”, – theksoi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Bojan Stojanovski.
Zëvendësministri shtesë në Ministrinë e Shoqërisë Informatike dhe Administratë, Stefan Andonovski, tha se në pakon e ligjeve të propozuara nuk janë inkorporuar rekomandimet e SIGMA-s, që kanë të bëjnë me sistemin e shpërblimit të administratorëve.
“Me ndryshimet e parashikuara ligjore u mundësohet funksionarëve me bindje të tyre personale për të afërmit e tij apo të punësuarve, të cilave atij i konvenon të sigurojë rritjen e të ardhurave për 30%. Ne këtu nuk shohim asnjë objektivizëm të sistemit dhe kritereve për shpërblim.”, – u shpreh zëvendësministri shtesë në Ministrinë e Administratës, Stefan Andonovski.
Për të gjetur zgjidhje më të mirë ligjore, sindikalistët kërkojnë që të jenë të kyçur në të gjitha fazat e miratimit të këtij propozim-ligji dhe në asnjë mënyrë të njëjtat të mos miratohen me procedurë të shkurtuar me flamurin evropian.