Kovaçevski për shkarkimin e ministrave: Deputetët e LSDM-së do të votojnë sipas konkluzioneve që dalin nga qeveria

Kryetari i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski sot tha se nuk mund të flasë për zhvillimet në Aleancë. Ai thotë se nuk e njeh kuadrin e komisionit të partisë për emrat e rinj të propozuar të ministrave dhe theksoi se deri më tani ka komunikuar vetëm me liderin Arben Taravari.

“Para dy ditësh kam folur me të dhe kam pasur gjithmonë komunikim zyrtar”, tha ish-kryeministri gjatë vizitës në kompaninë “Laplast-M”, duke u përgjigjur në pyetjen se kë njeh si legjitim, ASH-në e Selës apo ASH-në e Taravarit.

“Për mënyrën se si do të votojë grupi parlamentar i LSDM-së, do të votojë në përputhje me atë që do të dalë nga Qeveria dhe në bazë të qëndrimit të deputetëve të Aleancës”, shtoi Kovaçevski duke u përgjigjur në pyetjen se si do të votojnë deputetët e tij nëse ka ndryshim të ministrave Fatmir Mexhiti dhe Azir Aliu.

Lidhur me anketat e fundit parazgjedhore të publikuara në RTMV, Kovaçevski tha se ato janë bërë nga një institut i afërt me opozitën VMRO-DPMNE dhe se kjo vetëm shpjegon se si dukeshin mediat deri në vitin 2016.