KORRIDORI 8 / Shpronësimet arrin 60 për qind

Janë shpronësuar vetëm 58 për qind të tokave në rrugë t e reja moderne në Maqedoni. Pra, në trasenë e Korridorit 8 të gjatë 68 kilometra, me autostradë me gjashtë korsi, nga Tetova në Gostivar, Kërçovë, përmes Strugës deri Qafë Thanës dhe korridorit 10-D nga Prilepi në Manastir të gjatë 40 kilometra dhe gjithashtu ka gjashtë korsi, që duhet ti ndërtojë kompania “Bechtel dhe Enka” akoma nuk ka përfunduar në tërë si shitblerja e tokë s private nga ana e pronarëve.

Mjetet për shpronësim llogariten në rreth 300 milionë euro. Shteti, sipas autoriteteve, do ta blejë tokën me një çmim tregu që llogaritet në bazë të taksës së pasurisë që paguan pronari i pronës. Për ngecjen e procesit të shpronësimeve flasin edhe të dhënat për mbikëqyrjen e punës, ku në periudhën nga një nëntori deri më 31 dhjetor 2023 janë tjetërsuar afër 60 për qind e truallit ndërtimor, ndërsa përqindja e njëjtë ka qenë edhe tek raporti i tetorit.

Në terren përskaj mospërfundimit të shpronësimit ka edhe kontestime të procesit nga ana e pronarëve të tokave.

Banorët e Banjicës së Epërme dhe të Poshtme të Gostivarit, për të katërtën herë dolën për ta shprehur pakënaqësinë e tyre, lidhur me eksproprijimin e jashtëligjshëm të tokës pjellore. Banorët thonë se nuk janë kundër eksproprijimit të tokës që përfshinë Korridorin 8, por janë kundër dhe protestojnë për eksproprijimin e tokës, për të cilën pretendojnë se merret për logjistikë si për bazë asfalti, kampim dhe bazë betoni. Një herësh ato janë të shqetësuar për mungesën e sqarimeve se çka do ndodhë me pronat e tyre, përderisa 70 për qind e banorëve jetojmë nga bujqësia.

Përfaqësuesi i pjesëmarrësve në bllokadë, Abdulaqim Asipi, tha se nuk kanë marrë përgjigje për kërkesat që i kanë dërguar autoriteteve dhe as nuk janë thirrur për bisedë. Ai sqaroi se një pjesë e tokës nuk blihet për nevojat e rrugës, por për ndërtimin e kampeve për punonjësit, të cilat shteti do t’i shesë më vonë për ndërtimin e pikave të karburantit dhe objekteve të tjera tregtare.

Banorët e Banjicës u kanë bërë apel institucioneve kompetente që të ulen sa më parë dhe të gjejnë një zgjidhje të përbashkët. Ankesa ka edhe për kompensimin joadekuat prej dhjetë euro për metër katror për tokën që po konfiskohet.

Nga ana tjetër, në raportin e tetorit të mbikëqyrësit thuhet se kontraktori, konsorciumi amerikano-turk “Bechtel dhe Enka”, ka punuar kryesisht në projektin e shpronësimit, hetimet gjeoteknike dhe specifikimet për autostradën.

Janë përfunduar plotësisht 58 për qind e parashikimeve të shpronësimit, si dhe 33 për qind e rilevimeve gjeoteknike për ndërtimin e seksioneve autostradë të korridoreve 8 dhe 10d. Skema e përgjithshme përfshin pothuajse 110 km autostrada të organizuara në katër seksione të reja. Dy seksione janë në lindje të vendit, që shkojnë në jug nga kryeqyteti Shkupi dhe shkojnë paralel me malet e Sharrit: Tetovë – Gostivar (17.5 km) dhe Gostivar – Bukojçan (30.3 km).

Një pjesë kalon përmes zonës së trashëgimisë natyrore botërore të UNESCO-s rreth liqenit të Ohrit: Trebenishtë – Strugë – Qafë Thanë (21.7 km) dhe seksioni i katërt është në jug të vendit, afër kufirit me Greqinë: Manastir – Prilep (39.3 km).

Korridori i 8-të, rruga që do të bëjë të mundur lidhjen e Tiranës me Shkupin për më pak se tre orë po vijon me ritme të shpejta nga të dy krahët e kufirit.

Qeveria shqiptare ka caktuar fondet për katër lote të këtij korridori, ndërsa pret të hapë gjatë këtij viti edhe punimet në lotet 5 dhe 6. Në 80 për qind të punimeve në anën shqiptare parashikohet zgjerimi i rrugës ekzistuese Elbasan – Qafë thanë.

Ndërkohë, Maqedonia e Veriut nëpërmjet një konsorciumi amerikan po vijon punimet, por në një gjurmë të re. Dy vendet rishikuan projektin, duke vendosur që pjesë e korridorit të 8-të të jetë edhe një tunel me dalje në një pikë të re kufitare. Dy palët janë në fazën ku po diskutohet se kush do ta ndërtojë tunelin, shprehet Drejtori i Autoritetit Rrugor në Maqedoninë e Veriut.

“Në bashkëpunim me autoritetet shqiptare dhe projektuesit shqiptarë është përcaktuar edhe gjatësia e tunelit që do jetë i përbashkët mes Maqedonisë së veriut dhe Shqipërisë. Gjatësia do të jetë 5.8 km dhe po shikojmë të gjithë mundësitë për fillimin e projektimit dhe ndërtimit të atij tuneli, në mënyrë që rruga të përfundojë në 31 dhjetor 2027. Me anë të tij do të shkurtohet rruga nga Struga deri në Qafë thanë për 9 km dhe në pjesën shqiptare shkurtohet deri në 11 km. Nga Struga – Tiranë shkurtohet për 20 km”, u shpreh Ejup Rustemi, Drejtori i Ndërmarrjes Publike “Rrugët Shtetërore”.

Një herësh Korridori i 8-të do të mundësojë edhe një lidhje me Portin e ri të Durrësit.

“Me Republikën e Shqipërisë kemi memorandume bashkëpunimi për ndërtimin e këtij tuneli të përbashkët, por edhe ndërtimin Portit të thatë në Strugë. Në këtë mënyrë do të kemi lidhje jashtëzakonisht shumë të mira komunikimi mes bizneseve dhe mes shtetasve tanë”, tha Rustemi.

Korridori i 8-të është bërë pjesë e sistemit rrugor evropian, ndërsa rruga më pas do të vijojë lidhjen me Sofien, kryeqytetin e Bullgarisë. Maqedonia e Veriut do të ketë një autostradë me 6 korsi, ndërsa pala shqiptare parashikon ndërtimin e një rruge interurbane me katër korsi me shpejtësi 90 km/orë.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe njëherësh zëvendëskryeministre, Belinda Balluku, inspektoi ecurinë e punimeve në kantierin e lotit të 3të të aksit Elbasan-Qafë Thanë, pjesë e Korridorit VIII.

Balluku tha se Korridori i 8 pritet të jetë i aksesueshëm në vitin 2027, ndërsa theksoi se është parashikuar që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të lidhet edhe nëpërmjet një tuneli rreth 5.8 km.

“Korridori i 8-të do të pasurohet edhe me veprën e re nga Elbasani deri në Lekaj, në rreth rrotullimin e Rrogozhinës, ku kryqëzohet dhe me Korridorin Adriatiko-Jonian. Kështu do të kemi mundësinë të kemi një rrjet të plotë, i cili do të jetë në shërbim të Portit të Durrësit dhe Portit të Thatë, të vendosur në Strugë”, u shpreh Balluku.

Kjo rrugë parashikon dy By Pase ku ai i Elbasanit, sipas Ballukut do të ketë ndikim në zhvillimin e ekonomisë. Rruga pritet të ketë ndikim në zhvillimin e turizmit duke shkurtuar distancën e lëvizjes së njerëzve dhe mallrave.

Rreth 10 mijë mjete përshkojnë çdo ditë aksin nacional Elbasan-Qafë Thanë, ngarkesë e cila, përpos trafikut në zonat e banuara jo pak herë është bërë burim aksidentesh fatale.

Nisja e punimeve për zgjerimin e rrugës në disa segmente dhe zhvendosjen nga zonat e populluara në disa segmente të tjera, është mirëpritur edhe nga banorët.

Loti 3 i Elbasan-Qafë Thanë është një nga ata me angazhim më të madh për shkak të një ure 300 metra të gjatë dhe 32 metra të lartë teksa do të ketë edhe dy tunele një 500 dhe një 300 metra të gjatë. Bypassi i Elbasanit është një projekt tjetër që lidh tre autostrada: atë nga Elbasani në Maqedoninë e Veriut, atë Tiranë-Elbasan dhe atë nga Elbasani në Rrogozhinë.

Aksi rrugor Elbasan – Qafë Thane është pjesë e korridorit VIII. Itinerar është Durrës – Elbasan – Librazhd – Qafë Thanë, për të vazhduar në Maqedoninë e Veriut dhe Bullgari. Ky aks rrugor lidh zona me rëndësi si portin e Durrësit me Greqinë, Maqedoninë e Veriut, Bullgarinë etj. Gjatësia totale e këtij aksi rrugor është 50.12 km. /Koha/