Jeton Shaqiri : Ndërtesa e re do të jetë shumë e rëndësishme për banorët e vendbanimit dhe dëshiroj të bëhet simbol i suksesit

Në Selcë të Tetovës ka filluar ndërtimi i shkollës së re fillore

Objekti në të cilin për 70 vjet funksionoi shkolla fillore “Rilindja” në fshatin Selcë të Tetovës hyn në histori. Deri në vitin 2025 do të ndërtohet objekti krejtësisht i ri shkollor për të cilin Ministria e Arsimit dhe Shkencës do të ndajë 100 milionë denarë.

Kryetari i Qeverisë, Talat Xhaferi dhe Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri, kanë vënë sot gurthemelin e shkollës së re, e cila do të jetë në dy kate me sipërfaqe të përgjithshme prej 2400 metra katrorë dhe është paraparë të ketë 9 klasa, 2 kabinete për shkencat natyrore dhe një për informatikë, hapsirë për mësimdhënësit , bibliotekë,hapsira ndihmëse, por edhe një klasë për fëmijët e moshës parashkollore.

„ Ky është vetëm një nga projektet për të cilat ne kujdesemi për përmirësimin e cilësisë së arsimit. Infrastruktura është një ndër kushtet themelore për mësim cilësor, motivim më të madh si te nxënësit ashtu edhe te mësimdhënësit . Ndërtesa e re do të jetë shumë e rëndësishme për banorët e vendbanimit dhe dëshiroj të bëhet simbol i suksesit”.tha ministri Shaqiri, duke shtuar se për këtë vit kalendarik në buxhetin e ministrisë janë paraparë 1,3 miliardë denarë, që është shuma më e madhe deri më tani..
Kryeministri Xhaferi tha se çdo fëmijë meriton kushte të mira mësimore, pavarësisht nëse jeton në fshat apo qytet. Angazhimi në arsim është investim në të ardhmen e vendit, sepse, siç tha ai, pa breza të arsimuar asnjë shoqëri nuk do të përparojë.
“Ne vazhdimisht investojmë në shkolla bashkëkohore dhe proces edukativo -arsimor cilësor Vetëm gjatë dy viteve të fundit janë mbuluar 120 objekte shkollore me aktivitete rikonstruksioni për të cilat janë siguruar mjete buxhetore dhe janë ndërtuar 43 salla sportive shkollore në shkollat fillore dhe të mesme. “Shkollat po ndërtohen, përmirësohen dhe pajisen në mbarë vendin, si me mjete buxhetore, por edhe me mbështetjen e institucioneve financiare ndërkombëtare”, theksoi Xhaferi.
Objekti i vjetër i shkollës në këtë vendbanim është ndërtuar nga banorët në vitin 1954.