Ndonëse është ende duke vuajtur dënimin me burg, ish-kryetarja e PSP-së Katica Janeva punon në një zyrë avokatore në Shkup. Autoriteti i Sanksioneve e lejoi atë të punësohej në studion ligjore të djalit të saj.
Ajo del nga burgu i Idrizovës në mëngjes për të punuar te studioja ligjore e djalit të saj dhe kthehet sërish në qeli pasdite. Janeva e shfrytëzon këtë mundësi që nga 27 janari, pasi i kanë mbetur edhe rreth dy vjet e gjysmë për të kryer dënimin, nga gjithsej shtatë vite burg, që mori për rastin “Reket”.
Katica Janeva u dënua për shpërdorim detyre, së bashku me Bojan Jovanovskin i njohur më mirë si Boki 13. Ata u arrestuan në gusht të vitit 2019. Ndonëse mori dy vite më shumë se ajo, në dhjetor të vitit të kaluar, për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësor, Boki 13 doli nga burgu. Presidenti Pendarovski e refuzoi kërkesën e Janevës për falje vitin e kaluar. Katica Janeva u zgjodh në krye të Prokurorisë Speciale Publike të sapoformuar në vitin 2015.