Zëvendëskryeministrja Sllavica Grkovska ka shkruar një letër të hapur në prag të zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare të 24 prillit dhe 8 majit, të cilat u shpallën dje. Grkovska në letrën e saj thekson se është shumë e rëndësishme që të gjithë pjesëmarrësit në këtë proces të kenë parasysh vazhdimisht ligjet dhe parimet etike gjatë kryerjes së aktiviteteve të tyre. Ajo shtoi se zbatimi i drejtë i zgjedhjeve është baza dhe parakushti kryesor për inkorporimin e të gjitha parimeve të tjera të qeverisjes së mirë, të përcaktuara nga Këshilli i Evropës, transmeton Portalb.mk.
Zëvendëskryeministrja vë theks të veçantë në rëndësinë e transparencës në fushatat zgjedhore, për të shmangur lajmet e rreme dhe narrativat dezinformuese.
“Në këto kohë sfiduese, transparenca e fushatave zgjedhore është veçanërisht e rëndësishme, sepse qytetarëve duhet t’u mundësohet që të marrin vendime të bazuara në informacione të sakta. Lajmet e rreme, narrativat e dëmshme dhe dezinformatat bëjnë të kundërtën. Dhe për këtë është e rëndësishme që të gjitha subjektet politike t’i prezantojnë programet e tyre në mënyrë të hapur dhe të ndershme, pa manipulime. Është po aq e rëndësishme që të kujdeset për eliminimin e diskriminimit, intolerancës dhe gjuhës së urrejtjes nga diskursi publik dhe në drejtim të përmirësimit të kulturës së përgjithshme politike në vend”, shkruan Grkovska.
Ajo theksoi se, pavarësisht përkatësive politike, prioritet në veprimin politik duhet të jetë mirëqenia e qytetarëve dhe besimi i ndërsjellë mes komuniteteve në shoqërinë tonë multikulturore.
“Periudha parazgjedhore dhe ajo zgjedhore është një mundësi për të treguar pjekurinë e demokracisë sonë dhe aktorëve të saj, prandaj është e rëndësishme që çdo titullar dhe kandidat për post të udhëheqë me shembull personal, duke iu përmbajtur standardeve etike dhe parimeve demokratike. Dhe në asnjë moment nuk duhet harruar se kushdo që kërkon besimin në zgjedhje duhet të veprojë në interesin më të mirë të qytetarëve tanë dhe të vendit”, përfundoi Grkovska.
Kujtojmë se dje, kryetari i Kuvendit Jovan Mitreski zyrtarisht ka shpallur zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të vitit 2024.
Zgjedhjet e shtata presidenciale, sipas marrëveshjes politike, do të mbahen më 24 prill, ndërsa zgjedhjet e njëmbëdhjeta parlamentare do të mbahen më 8 maj, të cilat kësaj radhe do të jenë të rregullta. Nëse do të ketë një raund të dytë të zgjedhjeve presidenciale, ato do të përkojnë me zgjedhjet parlamentare dhe do të mbahen më 8 maj.
Vendimi për shpalljen e zgjedhjeve, sipas Kodit Zgjedhor, dërgohet te Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ), i cili do të miratojë afate me të cilat do të fillojnë veprimet zgjedhore. Fushata për zgjedhjet presidenciale pritet të nisë në fillim të prillit dhe të përkojë për disa ditë me fushatën për zgjedhjet parlamentare. Sipas sqarimeve të KSHZ-së, do të ketë afate të veçanta për zbatimin e veprimeve zgjedhore për të dy proceset zgjedhore.
Në përgatitje për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare më 28 janar të këtij viti, 100 ditë para zgjedhjeve, është formuar qeveria teknike, kryetar i së cilës është Talat Xhaferi. Ai do ta menaxhojë atë deri në zgjedhjen e një qeverie të re politike.
Qeveri teknike zakonisht krijohet për të kryer një (një) detyrim specifik, për një periudhë kohore të përcaktuar saktësisht, me fuqi vendimmarrëse rreptësishtë të kufizuara. Kryeministri teknik nuk mund të përdorë “të drejtat” e qeverisë politike – të propozojë ambasadorë, drejtorë të ndërmarrjeve publike nën juridiksionin e qeverisë, anëtarë në borde drejtuese.