Luka Modric nuk ka vendosur ende për të ardhmen e tij.
Veterani i mesfushës ishte protagonist i Real Madridit në fundjavën që shkoi duke e shënuar golin e fitores ndaj Sevillës.
Futbollistit kroat do t’i skadojë kontrata me “Los Blancos” në qershor të këtij viti dhe duket se ai po mendon për t’u larguar nga “Santiago Bernabeu”, shkruan “Gazeta Express”.
Trajneri i madrilenëve, Carlo Ancelotti së fundmi u shpreh se e ardhmja është në duart e futbollistit, por që, nëse dëshiron të qëndrojë, duhet ta pranojë edhe rolin e zëvendësuesit.
Modric do t’i mbushë 39 vjet në muajin shtator dhe për të është koha për të lëvizur.
Spekulohet se nënkampioni i botës me Kroacinë mund të përfundojë në njërin prej klubeve të pasura të Arabisë Saudite për t’i zhvilluar sezonet e fundit të karrierës, por gjithashtu përmendet edhe liga MLS në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
E sot, mediumi turk “Fotomac” raporton se në garë për ish-futbollistin e Tottenhamit janë futur edhe dy gjigantët turq, Galatasaray e Fenerbahçe.
Natyrisht, mundësitë e tyre s’janë të mëdha dhe oferta e tyre është më e ulët (rrogë vjetore 3,5 milionë euro) dhe konkurrenca nga klubet e pasura nga Saudi Pro League është e madhe.