Gjatë vitit të kaluar 28.533 lloje të ndryshme të kundërvajtjeve në komunikacion në Gostivar dhe Tetovë

Pjestarë të policisë të SPB-Tetovë, gjatë vitit të kaluar kanë zbuluar dhe sanksionuar gjithsej 28.533 lloje të ndryshme të kundërvajtjeve në komunikacion (TE-19.707 dhe GV-8.826) ose 1838 më shumë krahasuar me vitin paraprak 2022 informon Tetovasot. Gjatë kësaj periudhe, për shkak të shkeljeve të konstatuara, gjegjësisht lëshimeve dhe parregullsive në trafik, janë përjashtuar nga qarkullimi 8257 drejtues mjetesh (TE-2790 dhe GV-5467), si dhe 1113 automjete (TE-653 dhe GV-478). Një numër i konsiderueshëm drejtuesit e përjashtuar 1099 (TE-564 dhe GV-535) ishin për shkak të drejtimit të automjeteve të tyre nën ndikimin e alkoolit.
Vitin e kaluar janë sanksionuar edhe 3998 drejtues mjetesh (TE-2961 dhe GV-937) që kanë tejkaluar shpejtësinë maksimale të lejuar brenda dhe jashtë vendbanimit, ndër të cilët një numër jo i vogël i tyre me më shumë se 50 dhe 70 kilometra në orë, veçanërisht në autostrada Gostivar-Tetovë-Shkup.
Sektori i Punëve të Brendshme Tetovë vazhdon me intensitet të pazvogëluar edhe këtë vit me aktivitetet kontrolluese, fokus i të cilave janë shpejtësia, drejtimi i automjetit nën ndikimin e alkoolit, mosdhënia e përparësisë së kalimit për këmbësorët, parakalimet e kundërligjshme e të tjera. Qëllimi është zbulimi dhe largimi në kohë i automjeteve me defekte teknike, drejtuesve me shpejtësi të tejkaluar dhe atyre që parakalojnë ose drejtojnë automjete në mënyrë të paligjshme pa kaluar testin e shoferit ose nën ndikimin e alkoolit.Tetovasot