Nga Arian Galdini
Sali Berisha e siguroi ballkonin e tij. Askush nuk mund ta quaje tashmë Sali Berishën një njeri të zakonshëm, një pensionist si gjithë të tjerët apo një të moshuar si kushdo në atë moshë.
Nuk luan domino tek klubi poshtë lagjes, nuk shëtit në park dhe nuk lexon gazetën tek stoli i lulishtes aty karshi.
Ilir Meta ka ende vite përpara sepse është i ri në moshë dhe i duhen së paku edhe 20 vite që të vendosë sesi dhe ku do ta kalojë pleqërinë e tij.
Por para se të plotësojë vitet e nevojshme që të dalë në pension, Ilir Meta ka sfidën e madhe nëse do të vijojë të ketë punët e lehta të Kryetarit, Presidentit, Kryeministrit, Deputetit apo ndoshta do të detyrohet të bëjë edhe ndonjë punë të vështirë ku mund të kesh Roje përreth pa qenë në asnjërën nga detyrat e deritanishme.
Edi Rama sivjet mbush 60 vjeç.
Mënyra sesi e përshkruan dhe përpjeston ai jetën e tij, është e ndarë deri tani në 3 jetë dhe 3 zyra.
Jetët i ka ndarë në atë të Artist/Sportistit, Politikanit dhe të tretën e parasheh si “Rrobaqepës”.
Zyrat i ka ndarë në atë të Kryebashkiakut, Kryetarit të PS dhe Kryeministrit.
Por çfarë i bashkon dhe çfarë i ndan këta të tre?
I bashkon padiskutim fakti se sido që ti kenë përshkruar jetët e tyre këta të tre, e vërteta e madhe është se vitet e tyre më të shumta i kanë shpenzuar duke e drejtuar Shqipërinë si Çifligun e tyre.
Jeta e tyre e pazakontë ka në gjithë indet e saj mundin, sakrificat dhe shfrytëzimin barbar të Shqipërisë si Çiflig.
Edhe kur e kanë parë veten të plotfuqishëm, edhe kur e kanë parë veten të adhuruar, edhe kur e kanë parë veten të patundshëm, ka qenë Shqipëria aseti themeltar mbi të cilin ata kanë ngritur gjithçka vetjake e ndoshta edhe më tej.
Shqipëria ka qenë bodrumi i pasurive të tyre, Shqipëria ka qenë miniera e pasurive të tyre, Shqipëria ka qenë themeli i “ngrehinës së tyre vetjake”, Shqipëria ka qenë bazamenti i “Kultit, Plotfuqishmërisë dhe Shkëlqimit të tyre”, Shqipëria ka qenë monedha e shkëmbit të favoreve, pushteteve dhe lojërave të tyre politike brenda e jashtë vendit.
Ata e kanë pasur Shqipërinë poshtë këmbëve të tyre.
Arritjet dialektike të Shqipërisë, ata ua kanë shitur Shqiptarëve, si bërje e punë të kryera prej Tyre.
Dhe duke shitur “arritjet dialektike” si “bërje e punë të kryera” nga këta si “Udhëheqës Legjendarë”, kanë arritur që përtej shndërrimit të Shqipërisë në Çiflig, kanë krijuar edhe ushtritë e tyre personale me “bujkrobërit përkatës”.
Kësisoj, “jeta e jashtëzakonshme” e këtyre të treve, nuk ka asgjë të jashtëzakonshme tek aftësitë, zotësitë apo talentet e të treve bashkë apo secilit veç e veç.
“Jeta e pazakontë” e këtyre të treve duket e tillë sepse të tre këta edhe së bashku edhe veç e veç, kanë qenë bjerrakohësit dhe energjishfrytëzuesit më të mëdhenj e më të pamëshirshëm të Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Ndaj kur e shihni Sali Berishën në ballkon, mos ndjeni as keqardhje e as admirim për të, thjesht mendoni dhe besoni se ky pleqërim i tij, nuk mund të vijojë të rëndojë mbi Shqipërinë dhe shqiptarët.
Nëse ballkoni i pleqërimit të Sali Berishës është çmimi që ne si shoqëri duhet ta pranojmë si “taksën e fundit” të lirisë prej tij, unë besoj se ia vlen.
Mos u lodhni me emocione urrejtjeje e mllefi. Nëse ky është çmimi i mjaftueshëm, le të ecim përpara.
E di që siç ka njerëz që kurrë nuk do të rreshtin së shkuara poshtë ballkonit të Sali Berishës nga pamundësia e tyre për ta dashur a kuptuar lirinë prej tij, ashtu ka edhe plot të tjerë që urojnë e dëshirojnë tjetër sistemim për Sali Berishën të mbushur nga urrejtja dhe zemërata e tyre për të.
Megjithatë, askush nuk mund të kënaqet përfundimisht.
Liria dhe çlirimi prej cilitdo çifligar e pranon edhe mosplotësimin e kënaqësisë për të gjithë.
Për të qenë i sinqertë, do të them se pavarësisht rolit dhe fuqisë që mendohet se Ilir Meta ka pasur apo mendohet se ende ka, ai është i papërfillshëm në betejën e shoqërisë shqiptare për liri e çlirim nga neoçifligarët e pas 1990, apo siç i quaj unë “klubi i plaçkaxhinjve”.
Ilir Meta këtej e tutje ka dhe do ketë veç hallet e veta dhe do ti duhet të merret vetë me to.
Problemi më serioz që ka shoqëria shqiptare është realisht Edi Rama.
Edi Rama po e përdor Shqipërinë si kusur në pazarin e tij privat për jetën e tij të tretë pasi të dalë nga zyra e tij e tretë.
Kaq i tronditur është Edi Rama nga ajo që po sheh si sfidë përmbyllëse të Sali Berishës dhe Ilir Metës, sa është i gatshëm, ta mbajë Shqipërinë peng aq gjatë sa do të na duhet tia pranojmë edhe trillin që ai ta bëjë ballkonin e tij në Kryeministri.
A e shihni se si ai rend Samit pas Samiti që të shfaqet me apo mes çdo lideri ndërkombëtar, si i dëshpëruari që kërkon ta fitojë “pazarin” duke implikuar sa më shumë me veten?
Pse ky pasion i Edi Ramës për lojëra, protagonizëm e përfshirje ndërkombëtare, kudo e ngado?
A mendoni vallë vërtetë se ai ka iluzionin se do të magjepsë ndokënd dhe dikush do ta propozojë si Lider Global?
Jo or jo.
Ai e di shumë mirë se kush është dhe çfarë është..
Edi Rama e di shumë mirë se kufijtë e tij janë sa Shqipëria si çiflig.
Edi Rama e di shumë mirë se arlekinizmi i tij ndërkombëtar, funksionon përsa kohë ai shkëlqen si “çifligari ekzotik me atlete dhe shallvare”.
Ai e di shumë mirë se ai mundet tua tërheqë vëmendjen atyre që kanë fuqinë e përkohshme në korridoret e politikës ndërkombëtare, vetëm me atipizëm dhe kllounada.
Mbretërit kanë gjithmonë nevojë për kllonin e tyre.
Edhe “Mbretërit” e korridoreve Ndërkombëtare kanë absolutisht shumë nevojë për klounin e tyre.
Ky është roli i përsosur për Edi Ramën.
E një njeri që në jetën e tij të parë ka qenë artist, bohem, rrebel, nuk e ka aspak problem të bëjë si Kryeministër, kllounin e “Mbretërve” të Ndërkombëtare.
Tek e fundit, ai edhe e ka gjenerike si artist e bohem “talljen” dhe vetëtalljen me “pushtetet” dhe “të pushtetshmit”, qoftë edhe me vetë pushtetin e tij.
Thelbi është ky.
Edi Rama ka kohë që aplikon strategjinë dhe filozofinë e “Shqipërisë në Dispozicion”.
Dhe gjithçka ai bën, buron nga kjo strategji e filozofi.
Ai nuk ka për ta lëshuar Shqipërinë, nëse nuk ndjen siguri për jetën e tretë.
Do ta përdorë Shqipërinë si atë “kalin me pulla” ku bënim ne fotografi të gjithë tek foto Skënderbeu në kohën e diktaturës.
Nuk do të lërë Samit e Korridor pa bërë foto pafund, me çdo lider e mbret, jo më për të na bërë përshtypje neve, sepse neve ai është i bindur se na ka bërë zap.
Edi Rama do bëjë foto pafund për të lënë gjurmë dhe implikuar parreshtur sa më shumë liderë e “mbretër” ndërkombëtarë.
Duke ua lënë gjurmën e vetes së tij në sa më shumë foto, duke i implikuar papushim, Edi Rama mendon se ata do ta kursejnë dhe do ta lejojnë që të bëhet “rrobaqepës”.
Pasiguria e Edi Ramës është problemi më i madh që ka sot Shqipéria dhe çdo shqiptar.
Prandaj, ka ardhur koha që të fillojmë ne shqiptarët të mendojmë e organizohemi për ta nxjerrë në pension të parakohshëm në zgjedhjet e vitit 2025.
Më tej, le ta gjejë vetë ballkonin e tij Edi Rama.
Ne shqiptarët e kemi në dorë që me votën tonë ti japim secilit lider ballkonin e vetë dhe ti nxjerrim secilin në pensionin e vetë.
Arian Galdini