BE-ja zotohet se Putini do të njihet si përgjegjës për vdekjen e Navalnyt

Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, u zotua se presidenti rus, Vladimir Putin, do të mbahet përgjegjës për vdekjen e udhëheqësit rus të opozitës, Alexei Navalny.

Ai i bëri komentet pas një takimi që zhvilloi në Bruksel me të venë e tij, Yulia Navalnaya.

“Ne i shprehëm ngushëllimet më të thella të BE-së Yulia Navalnayas. Vladimir Putin dhe regjimi i tij do të mbajnë përgjegjësi për vdekjen e Alexei Navalnyt”, shkroi Borrell në platformën X.

“Siç e tha edhe Yulia, Putini nuk është Rusi. Rusia nuk është Putin. Ne do të vazhdojmë mbështetjen tonë për shoqërinë civile të Rusisë dhe mediat e pavarura”, shtoi ai.

Vdekja e Navalnyt në një burg të Arktikut, javën e kaluar, e tronditi opozitën në mërgim të Rusisë, e cila, ashtu sikurse Perëndimi, drejtoi gishtin e fajit nga Kremlini.