Barcelona po përgatit kontratën për Rabiotin

Barcelona raportohet se është e gatshme t’i ofrojë Adrien Rabiotit një kontratë dyvjeçare.

Mesfushori mund t’i bashkohet Barçës si lojtar i lirë në verë, pasi kontrata e tij me Juventusin skadon në fund të qershorit, transmeton Gazeta Express.

Sipas gazetarit, Ekrem Konur, Barcelona po bën gati një kontratë dy-vjeçare për Rabiotin, me mundësi vazhdimi edhe për një vit më shumë.

Juventusi besohet se dëshiron ta mbajë francezin në Torino, andaj së shpejti do të zhvillojë bisedime me përfaqësuesit e tij, për të parë nëse do të mund të arrijnë një marrëveshje të re.

28-vjeçari ishte tashmë afër nënshkrimit me “Blaugranët” edhe në vitin 2019, por kjo nuk ndodhi dhe ai nënshkroi për “Zonjën e Vjetër”, duke kaluar në “Allianz Stadium” si lojtar i lirë nga Paris Saint-Germaini.

Ai ka shënuar 21 gola në 200 paraqitje me “Bianconerët”.

Përveç Barcelonës, të interesuar për shërbimet e Adrien Rabiotit raportohet se janë edhe Interi, Manchester United, Arsenali, Newcastle United e Bayern Munichi.