ASH-ja në grackën statutare: a mund të thërrasë kryetari i partisë Kuvend paralel?

A po hyjnë përpjekjet e Arben Taravarit për të çuar Aleancën për Shqiptarët në koalicionin e partive opozitare të LEN-it edhe në grackën statutare? Një përvojë të këtillë e kanë pasur shumica e përçarjeve nëpër parti që i njohim.

Pse grackë statutare?

Si lider i partisë Taravari për nesër ka caktuar një mbledhje të Kuvendit Qëndror në Kumanovë, për të verifikuar vendimin, të cili paraprakisht nuk e kishte konsultur këtë kuvend.
Para se ta bënte Travari, mbledhje të Kuvendit Qëndror caktoi Zijadn Sela, i cili është pikërisht kryetari i këtij Kuvendit dhe logjikisht, edhe përfaqësuesi partiak i cili e ka dhe obligim statutar që të thërrasë mbledhjen e organit më të lartë të ASH-së.

Që të mos jetë se bën ndonjë shkelje, Taravari këto dy ditët e kaluara, kishte mbledhur nënshkrime kuvendarësh, por dhe kjo është një çështje me pikëpyetje, pasi nëse i ka me vete ata, atëherë nuk do ta kishte problem që të marrë pjesë në Kuvendin “e Selës”, ku përpara sysh do t’i tregonte se me kë janë ata. Por ka gjasa reale që këto nënshkrime të mos jenë të gjitha valide për Kuvend, pasi pati dhe të tillë që demantuan se kanë vënë nënshkrime në ndonjëfarë peticioni.

Që publiku dhe anëtarësia të mos i kuptojë si shkelje të normave statutare këto aktivitete, është përpjekja për të dhënë argumente se gjithçka është në rregull. Kështu mund te merren edhe sqarimet që i dha deputeti i ASH-së, Halil Snopçe, në një intervistë për gazetën Lajm. Sipas tij, mbledhja e caktuar nga kryetari i Kuvendit, Ziadin Sela, për ditën e shtunë, s’është gjë tjetër pos “tubim partiak”, duke prejudikuar se nuk do të ketë kuorum për të mbajtur mbledhje Kuvendi.

” Nesër do të verifikohet se shumica e kuvendarëve janë pas Arben Taravarit dhe normalisht shumica e kuvendarëve do të marrin pjesë në Kumanovë ku do të demonstrohet mbështetja e fuqishme ndaj z.Taravari, atëherë ditën e shtunë nuk do të ketë as kuorum, ditën e shtunë mund të mbajnë vetëm tubim partiak”, ka thënë midis tjerash Snopçe.
Ai thotë se Taravari e ka mbështetjen politike, sepse e ka shumicën absolute të kuvendarëve dhe nesër do të verifikohet vetëm në mënyrë teknike-formale kjo mbështetje politike që z.Taravari e ka marrë nga ana e kuvendarëve të partisë.

Snopçe në këtë intervistë ka rikujtuar edhe nënshkrimet e peticionit me të cilin i është dhënë përkrahje Taravarit, por pikërisht pati përgënjeshtrime të një kuvendareje të Çairit, e cila tha se nuk ka nënshkruar asgjë.

Kjo situatë sigurisht se do çojë në një proces kontestimesh që do të arrijë gjer në gjyq, ngjashëm si kur u përça Lëvizja Besa dhe kur legjitimitetin e fitoi Bilall Kasami, ose edhe atë të Partisë Demokratike, kur ishin mbajtur dy kuvende, pas të cilave njëra shkallë e gjyqit ia “jepte” partinë Berishës, e tjetra Lulzim Bashës dhe ende nuk dihet cila është PD-ja e vërtetë!

/indeks.mk