500 metrat tragji-komike, të ndryshim Ligjit për Lojërat e Fatit


Nga: Alpin Ollogu

500 metrat tragji-komike, të ndryshim
Ligjit për Lojërat e Fatit

Pas shumë vitesh përpjekje, përplasje dhe premtime të bujshme elektorale, nga shoqëria civile dhe partitë politike, epilogu i ndryshim Ligjit për lojërat e fatit mori një përfundim qesharak, me të gjithë kuptimin e qesharakes, njekohësisht edhe tragjik, me të gjithë kuptimin e tragjikes.

Nëse lojërat e fatit aq të përhapura dhe të kriminalizuara në Maqedoninë e Veriut, që kanë kryesisht klientelë popullsinë e varfër dhe të papunë të vendit tonë, apo popullsinë e ndër më të varfërave dhe të papunëve të Evropës, e në anën tjetër ta paraqesësh si zgjidhje për këtë të keqe që ka mbërthyer shoqërinë, dislokimin e objekteve të bixhozit në distancë 500 metra larg nga objektet arsimore (dhe vetëm nga objektet arsimore), është aq qesharake dhe njëkohesisht tragjike si akt, saqë ska ku të shkojë më shumë.

Ky miratim i ndryshim Ligjit për lojërat e fatit, i ngjason shembullit ironik, të atij që ke për qëllim ta privosh nga jeta, në një anë i jep shpresë tragji-komike, se do të shpëtojë nga ekzekutimi, duke i thënë se nuk do të gjuash nga afër, por prej një distancë prej 500 metrash, me një kalibër pushke e cila të ekzekuton edhe nga mbi 1000 metra distancë. Pa përfshirë këtu mundësinë sipas ndryshim ligjit, në qasjen e lojërave të fatit online, nga bankat e shkollës, nëpërmjet telefonave të mençur (ku distanca e gjuajtjes bëhët më e afërt).

Për ti dhënë karakterin tragjik ndryshim ligjit në fjalë, akti po shitet si përpjekje humaniste për ta shpëtuar popullatën prej kthetrave të pamëshirshme, pakontrolluara dhe kriminalizuara të lojërave të fatit, në një situatë edhe me të rënduar, të një shteti me sundim të dobët të ligjit, ku mafia e lojërave të fatit, krimi brenda bixhosit, kalon thuajse i pashqetësuar nga organet e rendit, prokuroritë dhe gjykatat.

Kush e paraqet si zgjidhje këtë ndryshim ligji për lojërat e fatit, nuk bën asgjë më shumë pos propagandë politike, duke dhënë shpresë të rrejshme për efekte të mundshme elektorale. Ndërsa kush pajtohet prej shoqërisë civile me këtë ndryshim ligj, qoftë edhe pajtim të pjesshëm, nuk bën asgjë më shumë pos arsyetim të betejës së humbur për mbylljen e tërësishme të lojërave të fatit, ose minimalisht dislokimin e tyre larg vendbanimeve në distancë prej 3 kilometrave, apo organizimin e tyre vetëm në resortet turistike. Nëse nuk bëhet arsyetim, mund të bëhen qoka politike, favorizime të caktuara në kurriz të së mirës së përgjithshme.

Koha do ta vërtetojë se ky ndryshim ligj për lojërat e fatit, nuk do të ketë aspak efekt pozitiv, përkundrazi, do ti japë edhe më shumë kohë të keqes, të dëmtojë edhe më shumë popullatën, deri në miratimin e një ndryshim ligji tjetër, i cili do të mbyllë tërësisht lojërat e fatit minimalisht për dhjetëra vite deri në një shërim të nevojshëm nga varësia e krijuar dhe krimi brenda tyre, si shembulli në vendet fqinje. Minimalisht dislokimin e tyre vetëm në resorte turistike larg vendbanimeve, larg qasjes nga banori i varfër dhe i papunë i këtij shteti, pa tragji-komizma të 500-metrave distancë, të përshkueshme shumë lehtë dhe afër, si në një kafe të përditshme, nga nxënësi i shkollave të mesme, ose studenti i universiteteve.