ZYRTARE / Jeton Beqiri është trajner i ri i Shkëndijës

KF Shkëndija konfirmon angazhimin e trajnerit të ri, Jeton Beqiri, i cili ka nënshkruar me klubin kontratë 18 mujore.

Pas një periudhe të suksesshme në klub si ndihmëstrajner dhe edhe në detyrën e ushtruesit të detyrës trajner i ekipit të parë në dy raste, Jeton Beqiri rikthehet në KF Shkëndija për të udhëhequr skuadrën për herë të parë si shef i stafit teknik. Me përvojën e tij të pasur në futbollin vendas dhe ndërkombëtar, Beqiri është vlerësuar njeriu i duhur për t’ia besuar bankinën në periudhën që pason.

“Të jesh trajner i Shkëndijës është privilegj dhe kënaqësi shumë e madhe, por në të njejtën kohë është edhe përgjegjësi dhe një sfidë e imja personale. Për këtë pjesë dua të falenderoj kryesinë e klubit dhe pronarët për besimin e dhënë, duke shpresuar që në fund edhe rezultatet të na japin të drejtë dhe të realizojmë objektivat”, deklaroi Jeton Beqiri pasi firmosi kontratën (1,5 vite) me kuqezinjtë.

Beqiri pranoi ftesën e Shkëndijës, duke ndërperë në mënyrë të njëanshme kontratën me skuadën Al Jabalain nga Arabia Saudite, ku për 15 muajt e kaluar kishte postin e menaxherit/drejtorit të Akademisë.

Në Arabi ai u transferua pasi udhëhoqi Bylisin drejt ngjitjes në elitën e futbollit shqiptar. Paraprakisht ishte trajner i parë te Struga dhe Renova, Gostivari e Drita, derisa si ndihmës trajner ka punuar edhe te Flamurtari i Vlorës.

Klubi ka besim të plotë në aftësitë dhe përvojën e Jeton Beqirit dhe e mirëpret atë me shpresë për një periudhë të suksesshme në udhëheqjen e skuadrës.