Zidane refuzon Algjerinë

Legjenda e futbollit francez, Zinedine Zidane, ka refuzuar mundësinë për të marrë detyrën e trajnerit te Kombëtarja e Algjerisë.

Federata e Futbollit e Algjerisë është në kërkim të një zëvendësuesi duke pasur parasysh se Djamel Belmadi ka dhënë dorëheqjen pas eliminimit zhgënjyes nga faza e grupeve të AFCON

Zidane është i lindur në Marsejë, por është me origjinë algjeriane.

Sipas “L’Equipe”, ish-trajneri i Real Madridit ishte i kënaqur nga interesimi i treguar ndaj tij. Megjithatë, ai ka refuzuar mundësinë për t’u rikthyer në rolin e trajnerit.

Zidane është trajner i lirë që nga vera e vitit 2021, kur dha dorëheqje nga Real Madridi.

Dihet prej kohësh se 51-vjeçari synonte të merrte drejtimin e Kombëtares së Francës, por trajneri aktual i “Gjelave”, Didier Deschamps, zgjati kontratën deri në vitin 2026.

Zidane u tha se më herët ka refuzuar mundësinë për të trajnuar ekipet kombëtare të ShBA-së dhe Brazilit.

Sa i përket Algjerisë, “L’Equipe” shton se Herve Renard, Vahid Halilhodzic, Vladimir Petkovic dhe Jorge Sampaoli janë duke u konsideruar nga Federata algjeriane.