Forcat e Mbrojtjes së Izraelit u kanë bërë thirrje banorëve në afërsi të spitalit Al-Amal në Kan junis që të evakuohen.
Gjysmëhëna e Kuqe tha se dronët izraelitë të pajisur me altoparlantë lëshuan një thirrje për banorët që të largoheshin nga zona afër spitalit dhe të zhvendoseshin në zonën Mauasi në perëndim të Kan Junisit, mes luftimeve të vazhdueshme të ashpra në qytet në Gazën jugore.
Në 24 orët e fundit, së paku 17 palestinezë u vranë në dy sulme ajrore izraelite që goditën ndërtesa në zonën e Zavaida dhe në kampin e refugjatëve Nuseirat.
Lufta e Izraelit kundër Hamasit në Gaza, e nxitur nga sulmi i grupit militant më 7 tetor ndaj Izraelit jugor, ka shkatërruar pjesë të mëdha të qytetit, si dhe ka shkaktuar një katastrofë humanitare që ka zhvendosur pjesën më të madhe të popullsisë prej 2.3 milionë banorësh të Gazës dhe ka shtyrë më shumë se një të katërtën në uri, sipas OKB-së.
Lufta ka vrarë më shumë se 26,000 palestinezë, shumica gra e fëmijë dhe ka plagosur më shumë se 64,400 të tjerë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të Gazës.