Trajkoviq: Bomba në Veri mesazh për serbët se mund t’u ndodhë si Ivanoviqit

Politikania serbe, Rada Trajkoviq e ka konsideruar shpërthimin e mbrëmshëm në Veri si “kërcënim” për serbët atje.

Ajo ka thënë se ky shpërthim është një mesazh për serbët atje që mund të iu ndodh si Ivanoviqit.

“Në fakt është një mesazh. Kur shteti nuk punon për diçka, që është gjendja e sigurisë në veri, ka ndikim shumë të madh te qytetarët. Shteti vazhdon të lejojë të dominojnë njerëzit nga mjedisi që kanë marrë pjesë në organizimin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit dhe ky lloj lajmi nuk është befasi. Është një mesazh, para se gjithash për serbët nga veriu se: ‘ne jemi këtu, dhe nëse nuk jeni besnik në shkallë të mirë, mund të kaloni njëjtë sikur Oliveri” , ka thënë Trajkoviq.

Në një intervistëpër “N1” Trajkoviq ka kujtuar se Milan Radoiçiqi e Zvonko Veselinoviq janë të sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, teksa ka përsëritur se janë të lidhur me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe si biznesmenë janë bërë milionerë.

Radoiçiqi e Veselinoviqi janë të akuzuar për rastin e Ivanoviqit, e që ndodhen në arrati.

Radoiçiqi ka marrë përgjegjësinë edhe për sulmin terrorist të Banjskës më 24 shtator. Trajkoviq ka thënë se ka spekulime se ai po përgatit hakmarrje.

“Ka spekulime se është përreth veriut dhe se po përgatit hakmarrje për vrasje të të rinjve”, ka thënë ajo.

Trajkoviqi ka thënë se fuqia e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është e rrezikshme për shtetin dhe popullin serb. Sipas saj, Vuçiqi duhet të përgjigjet për rastin e Banjskës dhe lidhjen me Radoiçiqin.