Stoltenberg: Situata në Ballkan është e brishtë. Ka potencial për tensione në Kosovë e Bosnje

NATO e konsideron të brishtë gjendjen e sigurisë në Ballkanin Perëndimor pas tensioneve në zona të nxehta si Kosova dhe Bosnje Hercegovina.

Në një konferencë për shtyp në Bruksel me kryeministrin e Malit të Zi Millojko Spajiç, Sekretari i Përgjithshëm i aleancës Jens Stoltenberg veçoi si problematike situatën në Kosovë.

“Stabiliteti mbetet i brishtë, gjerësisht në rajon. Shpërthimi i dhunës vitin e kaluar në Kosovë ishte i papranueshëm. NATO u përgjigj shpejt, duke vendosur mijëra trupa shtesë dhe makineri të rënda”, tha ai.

Stoltenberg ka theksuar edhe më herët se përshpejtimi i integrimit të Ballkanit Perëndimor në strukturat euroatlantike do të ulë përgjithmonë tensionet dhe do të shmangë ndërhyrjet destabilizuese të palëve të treta si Rusia, që ruan marrëdhënie të ngushta me Serbinë.

Shenjat e ndërhyrjeve të këtij lloji i përsëriti në një intervistë për të përditshmen serbe Politika, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zaharova.

Ajo thotë se Ballkani mund të shndërrohet në një nga shkaqet e një konflikti botëror të armatosur, duke akuzuar Berlinin se i nxitur nga Uashingtoni, po përpiqet të gjejë sërish në Ballkan shkaqe për luftë, ashtu si në dy konfliktet e fundit botërore. /Tv Klan