Serbia po konsideron rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak, ka thënë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të martën, duke përmendur tensionet në Ballkan e kudo në Evropë.
Ai ka thënë se ka marrë “argumente të forta” nga ushtarakët për ta rikthyer draftin, që ishte pezulluar më 2011 në përpjekjen për të profesionalizuar ushtrinë.
Siç shkruan “WashingtonPost”, presidenti populist nuk ka specifikuar kur do të nisë shërbimi i detyrueshëm ushtarak. Ai ka thënë se Parlamenti duhet të votojë mbi propozimin.
“Nuk jemi duke e kërcënuar askënd”, ka thënë Vuçiqi, teksa ka inspektuar një ekspozitë të pajisjeve ushtarake pas një takimi me komandantët. “Sot, nëse s’keni ushtri (të fortë), s’keni shtet”, ka thënë ai.
Vuçiqi u ka thënë gazetarëve se shërbimi ushtarak do të vendoset të jetë mes 90 apo 100 ditëve.
Ideja e shërbimit të detyrueshëm ushtarak në Serbi është cilësuar si synim i saj për ta destabilizuar Ballkanin. Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci ka thënë se Serbia po kërcënon fqinjët dhe po synon t’i frikësojë e mbajë nën kontroll edhe qytetarët serbë.
Serbia tashmë është rrethuar nga shtetet anëtare të NATO-s. Por pavarësisht kësaj, ajo ruan raportet e afërta me Rusinë nga e cila furnizohet më së shumti ushtarakisht.