Sevilla e West Hami triumfuan në Ligën e Evropës respektivisht në Ligën e Konferencës

Derisa Manchester City triumfoi në Ligën e Kampionëve, edhe dy turnetë tjerë të futbollit evropian ishin mjaft interesantë.

Sevilla e konfirmoi superioritetin e saj në Ligën e Evropës duke triumfuar përsëri.

Ekipi spanjoll e fitoi këtë trofe për herë të shtatë dhe më së shumti në histori të kësaj gare, katër më shumë se çdo ekip që ka luajtur ndonjëherë aty.
Dhe, krejt sukseset e ekipit andaluzian kanë arritur në dy dekadat e fundit, që prej trofeut të tyre të parë në vitin 2006, shkruan “Gazeta Express”.

Në finalen e vitit 2023, Sevilla e mundi Romën e Jose Mourinhos falë penalltive, 4:1, pasi loja e rregullt dhe vazhdimet përfunduan baras, 1:1.

“Giallorossi” kaluan të parët në epërsi në minutën e 35-të përmes Paiolo Dybalas, kurse Gianluca Mancini shënoi autogol në minutën e 55-të për t’i lënë spanjollët në garë.

E në gjuajtjet nga 11 metërshat, lojtarët e Sevillës u treguan të saktë e ata romakë dështuan, për të fituar spanjollët 4:1.

Kurse, në Ligën e Konferencës, West Ham United e mposhti Fiorentinën në finale me rezultat 2:1 për ta ngritur në qiell trofeun historik.

Të tre golat u shënuan në pjesën e dytë.

Said Benrahma shënoi nga penalltia në minutën e 62-të për t’i kaluar londinezët në epërsi.

Kurse, pas pesë minutash lojë, Giacomo Bonaventura shënoi për t’ua ngjallur shpresat italianëve.

Por, fatal për ekipin “Viola” ishte goli i Jarrod Bowen, i shënuar në minutën e 90-të, i cili ia siguroi ekipit londinez trofeun e shumëpritur evropian.