S’e di nëse do të jetë kandidat për president, Spasovski: Ambiciet e interesat personale s’mund të jenë në plan të parë
I pyetur nëse brenda partisë LSDM ka përkrahje që të jetë kandidat për President, Oliver Spasovski tha se procesi i kandidaturave është nëpër njësitë vendore dhe organizatat komunale dhe se nuk ka qasje se cilat janë propozimet, përcjell TV21.
Për vendimin, kryesia e partisë do të ulet të flasë pasi të ketë mbledhur të gjitha të dhënat, u shpreh ai, duke përfunduar se fatet, ambiciet dhe interesat personale nuk mund të jenë në plan të parë, sidomos në këtë moment.
“Më e rëndësishmja për mua si njeri dhe politikan është së pari të zgjidhet kandidati më i mirë për President dhe kandidatët më të mirë për deputetë. E dyta, të përgatitet platformë e mirë zgjedhore që do ta prezantojë bllokun pro-europian që ka vizion dhe strategji të qartë se kah duhet të lëvizë shteti dhe çfarë duhet të bëjmë, përballë mungesës së një koncepti nga opozita sepse beteja në këto zgjedhje është pikërisht në këtë drejtim. Andaj fatet personale, ambiciet personale dhe interesat personale, sidomos tani në këtë moment, nuk mund të jenë në plan të parë”, theksoi Oliver Spasovski, LSDM.