Rezoluta për konfiskimin e pasurive ruse, Basha: Mesazh edhe për agresorët potencialë në Ballkanin Perëndimor

Komiteti politik i Këshillit të Europës ka miratuar propozimin kreut të Partisë Demokratike Lulzim Basha për rezolutë për konfiskimin e mbi 300 miliardë euro pasuri dhe asete të Federatës Ruse dhe përdorimin e tyre për rindërtimin e Ukrainës.

Në një konferencë për shtyp Basha u shpreh sot se “mesazhi që dërgohet përmes rezolutës për konfiskimin e pasurive ruse, është mesazh paralajmërimi për të gjithë agresorët kudo në botë, por edhe për agresorët potencialë në Ballkanin Perëndimor”.

Në një konferencë për shtyp për mediet, Basha foli për vendimin e Komitetit Politik të Këshillit të Europës për miratimin e propozimit për rezolutën për konfiskimin e mbi 300 miliardë euro pasuri dhe asete të Federatës Ruse dhe përdorimin e tyre për rindërtimin e Ukrainës.

“Konfiskimi i aseteve të Federatës Ruse të gjendura jashtë Federatës Ruse dhe vendosja e tyre në procesin e rimëkëmbjes dhe ndihmës ndaj Ukrainës, do të konkretizohet në një fond ndërkombëtar, në një komision ndërkombëtar. Vendim i djeshëm vjen 24 orë pas një vendimi të ngjashëm me senatin e SHBA-së”, u shpreh Basha.

Sipas tij, “aktualisht dy qendra konflikti në botë kanë kaluar në konflikte të nxehta, ku njëri është në Ukrainë dhe tjetri në Lindjen e Mesme”.

“Një hap i tillë nuk është vetëm një mesazh ndaj Putinit, por edhe në një tjetër vatër të nxehtë siç është Ballkani Perëndimor. Në shtator të vitit të kaluar u tentua e njëjta mënyrë siç po tentohet në Ukrainë. E kam fjalën për sulmin në Banjskë ku qëllimi ishte të imponohej me forcë një realitet i ri”, shtoi ai.