Në Shqipëri, kryeministri Edi Rama njoftoi të hënën pasdite një ndryshim të ri në qeverinë e tij, i treti në harkun e një periudhe 6 mujore. Përmes një njoftimi të gjatë në rrjetin social X (më parë Twitter) zoti Rama bëri të ditur krijimin e ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, e cila do të drejtohet po ahstu nga një emër i ri, Blendi Gonxhe, deri më tani në krye të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor. Me krijimin e kësaj ministrie mbetet jashtë kabinetit qeveritar zonja Elva Margariti, prej 4 vitesh ministre e Kulturës, ndonëse zoti Rama nuk njoftoi shkarkimin e saj. Nga ana tjetër, Ekonomia është aktualisht pjesë e Ministrisë së Financave, ndërkohë që Inovacioni rikthehet si përparësi, pasi në mandatin e parë qeverisës së zotit Rama, 2013-2017, ishtë në nivelin e një ministri Shtetit.
Kryeministri Rama e shpjegoi këtë ndërhyrje të tij me faktin që nevojitet “një qasje e integruar qeveritare në raport me sektorët e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, të cilat për fazën e re të zhvillimit ku sapo kemi hyrë, duhet të dalin nga kufijtë e ngushtë tradicionalë të qeverisjes së vendit dhe të ndërveprojnë ngushtësisht me njëra-tjetrën, sidomos në kushtet kur teknologjia digjitale ka hyrë si një fuqi e re e kohës në të gjitha fushat e jetës dhe kërkon drejtim strategjik, orientim qeverisës e koordinim ndërsektorial”. Bashkimi nën një strehë i Ekonomisë me Kulturën, ishte elementi që shkaktoi më shumë habi, por sipas kryeministrit “kultura nuk mund të mbetet më një ishull i vogël e i ndarë nga dinamikat e reja ekonomike e sociale të vendit, mbi të cilat ajo ka një potencial të madh ndikues, e prej të cilave ajo mund të përfitojë shumë më tepër”.
Në korrik të vitit të shkuar, zoti Rama ndërroi drejtimin e Ministrisë së Brendshme, duke ja besuar atë kreut të grupit parlamentar të partisë së tij Taulant Ballës. Ndërsa në shtator, ndryshimet në kabinetin qeveritar kapën sektorë me peshë që nga financa, diplomacia, arsimi, shëndetësia e bujqësia.