Ndeshja e Divizionit të dytë Spanjoll mes Real Zaragozës dhe Andorrës nuk u zhvillua për shkak të terrenit të papërshtatshëm.
Ndeshja, në fakt, u pezullua për shkak të reshjeve të dendura të borës, të cilat e bënë të papraktikueshme për futboll fushën në “La Romaneda”, në Zaragoza.
Pas tri shtyrjeve, organizatorët në fund ngritën “flamurin e bardhë” dhe i kthyen skuadrat në dhomat e zhveshjes.
Pavarësisht përpjekjeve ekstreme për të hequr borën nga fusha, asnjë lloj ndërhyrjeje nuk ishte e suksesshme dhe ndeshja u pezullua përfundimisht.
Ndër përpjekjet e ndryshme për të pastruar fushën e lojës nga shtresa e bollshme e borës, bie në sy hyrja në fushë e një traktori, në përpjekje për të hequr sa më shumë borë nga terreni.
Një zgjidhje e zgjuar, por që nuk çoi në rezultate. Pasi u konstatua se në fushën e Zaragozës nuk mund të luhej, ndeshja u shty përfundimisht.