Ministri i Brendshëm, Taulant Balla mori pjesë sot në analizën vjetore të Drejtorisë Vendore të Policisë së Durrësit.
Ai tha se kërkoi vëmendje per zbardhjen e dosjeve të vjetra. “Pjesë e analizës ishte edhe rikthimi i vëmendjes edhe rihapja e të gjitha ngjarjeve të rënda kriminale. Kemi 56 ngjarje kriminale të ndodhura në 30 vitet e fundit, për të cilat drejtësia nuk e ka thënë ende fjalën e vetë. Dhe kjo është një detyrë e rëndësishme sikurse kemi dhe një numër të konsiderueshëm mbi 550 persona në kërkim nga drejtësia, për të cilët Drejtori Hita ka një plan për t’i adresuar në vazhdim me mbështetjen e Drejtorit të Përgjithshëm”.
Lidhur me ngjarjen që ka ndodhur në Durrës ku një grua u gjend e vdekur si pasojë e bullizimeve në rrjetet, ministri Balla u shpreh se, “edhe kjo çështje dhe kjo ngjarje ka qenë pjesë e trajtimit të analizës sonë. Ju e dini që për rastin në fjalë, Policia e ka bërë detyrën e vetë, ka bërë referimin në prokurori.”
Kurse per idenë e ndalimit të përdorimit të rrjeteve sociale nga personat nën 16-vjeç, shtoi se:”Ky është një diskutim që nuk do të kthehet më mbrapsht dhe nuk do të lihet më në sirtar. Bën pjesë në prioritetet e mia, sa i përket mbrojtjes së jetës private të qytetarëve. Sa i takon mbrojtjes kryesisht të fëmijëve dhe të rinjve nga fenomene si bullizmi, por bullizmi nuk po njeh moshë. Jam njohur sot me një iniciativë të ndërmarrë nga një prej shteteve të SHBA, në Florida, për të vënë kufizime në përdorimin e rrjeteve sociale, pra për të ndaluar përdorimin e rrjeteve sociale nga fëmijët nën 16 vjeç. Mendoj që është një ide e mirë”.
Ndalimi i rrjeteve sociale për moshat nën 16 vjeç, Balla: Nuk do e lëmë në sirtar si ide
Read more