Shpeshherë për çiftet kosovare telashet nuk marrin fund me shkurorëzim. Shumë nga ta vazhdojnë të kenë probleme me ish-partnerët e tyre, të cilët nuk arrijnë ta pranojnë ndarjen. Si pasojë e konflikteve të vazhdueshme janë gratë ato që kryesisht kërkojnë ndihmën e Policisë.
Një rast i tillë ka ndodhur dje në Letanc të Pododujevës, ku një grua ka kërkuar ndihmën e Policisë, si pasojë e kërcënimeve nga ish bashkëshorti i saj.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se viktima ka raportuar se ish burri i saj e ka kanosur atë dhe familjen e saj – duke iu shkaktuar frikë e shqetësim.
Përballë kësaj situate, ajo e ka denoncuar rastin dhe ka kërkuar urdhër mbrojtës.
Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku ka dhënë deklaratë për rastin.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që ndaj të dyshuarit të iniciohet rasti nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Mospërfillje e gjykatës’.
Ndryshe, masa mbrojtëse e ndalimit të afrimit viktimës së dhunës në familje si dhe vartësit të tij/saj dhe personave tjerë nëse është e nevojshme, mund t’i shqiptohet personit i cili ka kryer dhunë në familje, nëse ekziston rreziku i përsëritjes së dhunës në familje.
Në urdhrin me të cilin shqiptohet masa e ndalimit të afrimit viktimës së dhunës në familje, gjykata cakton vendin, regjionin dhe largësinë, brenda së cilës kryerësi nuk guxon t’i afrohet viktimës së dhunës në familje.