Kryeministri i ri i Francës, një homoseksual i deklaruar dhe anti-mysliman

Gabriel Attal bëhet kryeministri më i ri në moshë i Francës, teksa presidenti Emanuel Macron po përpiqet t’i japë një frymë të re mandatit të tij të dytë në prag të zgjedhjeve parlamentare evropiane.

34-vjeçari Attal ka shërbyer deri më tani si ministër i Arsimit. Lëvizja, jo domosdoshmërish do të çojë në ndonjë ndryshim të madh politik, por ajo sinjalizon dëshirën e Macron për tu zhvendosur përtej reformave jopopullore në pensione dhe emigracion dhe për të përmirësuar mundësitë e partisë së tij të qendrës në zgjedhjet europiane të qershorit.

Sondazhet sugjerojnë se kampi i Macron qëndron pas atij të lideres të së djathtës ekstreme, Marine Le Pen, me 10 pikë përqindje.

“Macron kërkon t’i largohet krizave politike dhe të provojë disa emra të rinj teksa bëhet gati për betejën e re, atë të zgjedhjeve parlamentare europiane.”

Attal, aleat i ngushtë i Macron, i cili u shndërrua në një emër popullor si zëdhënës i qeverisë gjatë pandemisë së COVID-19, do të zëvendësojë kryeministren në largim, Elizabeth Borne.