Kjo është vetura ndaj të cilës policia shtiu pasi shoferi i saj goditi një polic në Suhodoll (FOTO)

Pamje nga vendi i ngjarjes – policia ka shtënë me armë zjarri ndaj një veture, e cila më parë kishte goditur një polic. Foto: Klankosova.tv

Rreth orës 12:40 të ditës së sotme, një veturë me targa civile të Novi Pazarit ka goditur një zyrtar policor të Kosovës.

Incidenti ka ndodhur pasi patrulla policore i ka bërë me shenjë veturës që të ndalojë, pasi kanë dyshuar se në të gjenden narkotikë, raporton Klankosova.tv.

Vetura nuk është ndalur, dhe shoferi i saj ka përshpejtuar dhe e ka goditur një polic.

Zyrtarët policorë, me këtë rast kanë shtënë me armë zjarri ndaj veturës, por që nuk ka rezultuar me ndonjë të plagosur.

Sipas policisë, shoferi ka arritur të dalë nga vetura dhe të largohet në këmbë.

Gazetarja e Klan Kosova, Qendresa Tërshani, gjendet në vendin e ngjarjes, ku ka mësuar se vetura tanimë do të largohet nga aty.

Policia e ka rrethuar vendin e ngjarjes, ndërsa numri i pjesëtarëve policorë është relativisht i madh në vend. /Klankosova.tv

Mitrovicë e Veriut: Policia gjuan me armë zjarri në drejtim të një veture, pasi ngasësi i saj e goditi policin

Policia e Kosovës ka shtënë me armë zjarri në drejtim të një veture, pasi që ngasësi i saj e ka goditur me veturë një zyrtar policor dhe veturën e policisë.

Ngjarja ka ndodhur në fshatin Suhodoll të Mitrovicës së Veriut, ndërsa i dyshuari i cili shpëtoi pa u plagosur, ka goditur policin në momentin kur iu kërkua që të ndalej pasi që dyshohej se posedonte narkotikë.

“Rreth orës 12 e 40 në Suhodoll derisa policia kishte bërë përpjekje për të ndaluar një veturë e cila dyshohej se kishte narkotikë, shoferi i saj ka goditur me veturë policin i cili ishte në këmbë e po ashtu edhe veturën e policisë. Në përpjekje për ta ndaluar sulmin nga vetja, policia ka shtënë me armë zjarri por nuk ka të lënduar”, tha zëvendëskomandanti i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani.

Ai për Klankosova.tv gjithashtu tha se i dyshuari ka lënë veturën në vendin e ngjarjes dhe ka ikur në këmbë.