Kamberi për rrahjen e Sanduloviqit: Serbia po shndërrohet në shtet policor

Deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka dënuar dhunën e përdorur ndaj politikanit serb, Nikola Sanduloviq.

Kamberi në një postim në Facebook, ka thënë se Serbia po shndërrohet në shtet policor dhe policia serbe po merr përsipër të eliminojë kundërshtarët politikë të regjimit të Aleksandar Vuçiq.

“Serbia që moti nuk është demokraci, ajo, tani, po kalon edhe kufijtë e autokracisë, ajo po shndërrohet në shtet policor, sepse policia po merr përsipër të eliminojë kundërshtarët politik të regjimit dhe të idesë së “Botës serbe”, ka shkruar Kamberi.

Ai ka theksuar se ky është edhe një rast tjetër që dëshmon se të pranosh realitetin e ekzistimit të shtetit të Kosovës dhe fajin për gjenocidin që Serbia ka kryer në Kosovë, do të sulmohesh në mënyrën më brutale nga vetë institucionet e shtetit.

“Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, të vetmen mënyrë komunikimi me kundërshtarët politik e ka agresivitetin. Ndërsa, ideologjia mbizotëruese e regjimit në Serbi akoma mbetet albanofobia, është për tu habitur fakti që opozita, ajo që e quan veten “proevropiane” nuk ka asnjë reagim lidhur me rrahjen brutale të një opozitari. Regjimi dhe opozita në Serbi e kanë një gjë të përbashkët: Albanofobia është e karakteristikë e dyve”, ka shkruar tutje deputeti Kamberi.