E kryer, ish-sulmuesi i Milanit rikthehet në Serie A

Marrëveshja është arritur dhe tani pritet vetëm zyrtarizimi. Empoli ka përforcuar sulmin me Mbaye Niang, ish-sulmuesin e Milanit në Serie A.

29-vjeçari u transferua gjatë merkatos verore tek Adana Demirspor, skuadër me të cilën ka realizuar 8 gola në Superligën turke.

Niang ka luajtur me kombëtaret U16, U17 dhe U21 të Francës, ndërkohë që në tetorin e vitit 2017 debutoi me Senegalin, ekipin kombëtar të origjinës.

Drejtuesit e Empolit kanë arritur akordin me homologët turq, dhe Niang pritet në Toskanë për të kryer testet mjekësore dhe për të firmosur kontratën me klubin e ri.

Sulmuesi do të rikthehet kështu në Serie A pas 4 vitesh e gjysmë nga aventura e fundit italiane. Përveç Milanit, Niang ka luajtur në Itali edhe me Genoan dhe Torinon.

Tani zbarkon tek Empoli për të ndihmuar skuadrën ku luajnë edhe shqiptarët Berisha, Ismajli dhe Shpendi që të sigurojë qëndrimin në elitën e futbollit italian.

Niang është një “xhol” ofensiv, pasi mund të luajë në qendër të këtij reparti, por edhe në krahë.