Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano tha sot se zgjedhjet e reja lokale në veri të Kosovës duhet të mbahen sa më shpejt dhe e vlerësoi pozitivisht mbledhjen e nënshkrimeve nga qytetarët serbë për shkarkimin e kryetarëve aktualë.
“BE-ja vëren pozitivisht se procesi ka filluar që kur serbët e Kosovës kanë mbledhur nënshkrime për të filluar procesin e shkarkimit të kryetarit, në përputhje me Udhëzimin Administrativ. BE u bën thirrje autoriteteve të Kosovës që të sigurojnë vazhdimin e papengesë të procesit”, ka thënë Stano për Tanjug.
Tashmë, qytetarët serbë në katër komunat në Veri të Kosovës kanë mbledhur nënshkrimet për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë që dolën fitues në zgjedhjet e 23 prillit. Listat e nënshkrimeve janë dërguar në KQZ dhe ditëve në vijim do të bëhet verifikimi i tyre.