Autoriteti Palestinez akuzon Netanyahun se dëshiron të zgjasë luftën

Ministria e Jashtme e Autoritetit Palestinez ka thënë se kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, po demonstron një shpërfillje ndaj OKB-së dhe thirrjeve ndërkombëtare për një armëpushim të menjëhershëm duke mbrojtur agresionin e Izraelit në Rripin e Gazës për gjashtë muaj të tjerë.

Benjamin Netanyahu tha të martën se Izraeli “nuk do të ndalojë së luftuari deri në fitoren absolute”, shkruan Al Jazeera, transmeton Klan Kosova.

Në një deklaratë, ministria tha se komentet e tij nënkuptojnë “vazhdimin e gjenocidit dhe zhvendosjen e detyruar të civilëve palestinezë në Rripin e Gazës”.

“Netanyahu e merr guximin e tij nga dështimi i institucioneve ndërkombëtare për të mbajtur përgjegjësitë e tyre ligjore dhe morale për t’i dhënë fund okupimit”, thuhet në deklaratë.