Abdixhiku për Masakrën e Reçakut: Ndër më të rëndat e njerëzimit në fundshekullin e njëzetë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, në 25-vjetorin e Masakrës së Reçakut ka thënë se kjo masakër është një ndër më të rëndat e njerëzimit në fundshekullin e njëzetë.

Ai shkroi se këtë ditë të dhimbshme të kujtesës sonë, siç tha ai, ta mbajm gjithherë si rikujtim që s’shuhet të sakrificës së madhe të popullit tonë për liri e shtetësi, njofton Klankosova.tv.

“Reçak. Një çerek shekulli pas. Mes familjarëve të fëmijëve, grave, të moshuarve e burrave, të vrarë e masakruar nga forcat policore, paramilitare e ushtarake të Serbisë; në mëngjesin e ftohtë të 15 janarit të vitit 1999. Në përkujtim të ditës që tronditi një botë të tërë. ‘Krim kundër njerëzimit’ do ta quante ambasadori Walker atëherë”.

“Ishte një ndër më të rënda të njerëzimit në fundshekullin e njëzetë. Sot, teksa po largohemi një çerek shekulli nga kjo ngjarje e errët e historisë njerëzore, ndjejmë gjithë afërsinë me dhimbjet e asaj dite të familjarëve e të mbijetuarve. Ndjejmë dhe nevojën që këtë ditë të dhimbshme të kujtesës sonë, ta mbajmë sot e gjithherë si rikujtim që s’shuhet të sakrificës së madhe të popullit tonë për liri e shtetësi. Mbi këtë sakrificë, përbashkimi ynë për Kosovën, atdheun tonë, bëhet domosdoshmëri”, shkroi Abdixhiku.