Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy ndodhet në Uashington, në përpjekje për të bindur ligjvënësit që të ofrojnë më shumë fonde ushtarake për Ukrainën.
Zoti Zelenskyy do të takohet privatisht me senatorët dhe kryetarin e ri të Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, para se të shkojë në Shtëpinë e bardhë për takimin me Presidentin Biden.
Vizita e udhëheqësit ukrainas vjen një ditë pasi bordi ekzekutiv i Fondit Monetar Ndërkombëtar miratoi një fond prej 900 milionë dollarësh për Ukrainën nga programi i huasë prej 15.6 miliardë dollarësh i vendit.
Presidenti Zelenskyy falënderoi FMN-në dhe aleatët ndërkombëtarë për mbështetjen e vazhdueshme të vendit të tij në luftë.
Fondi Mondetar Ndërkombëtar tha se ekonomia ukrainase vazhdon të tregojë “rezistencë të jashtëzakonshme” pavarësisht sulmit rus në shkurt të vitit 2022, me zhvillimet e fundit që tregojnë rimëkëmbje më të fuqishme ekonomike sesa pritej më 2023 dhe rritje të vazhdueshme më 2024.