Zbulohet shkaku i vdekjes së aktorit Matthew Perry

Matthew Perry vdiq nga efektet akute të ketaminës, sipas raportit të autopsisë të publikuar të premten nga mjekësia ligjore e Los Anxhelosit. Aktori i “Friends” vdiq më 28 tetor 2023, në moshën 54-vjeçare.

Autopsia listoi mbytjen, sëmundjen e arterieve koronare dhe efektet e buprenorfinës si faktorë kontribuues, por që nuk lidheshin me shkakun e drejtpërdrejtë të vdekjes. Mënyra e vdekjes u cilësua si aksident. Aktori u gjet i pajetë në xhakuzi, në shtëpinë e tij.

Media amerikane ABC News shkruan se aktori ishte në terapi infuzioni me ketaminë. Ai kishte nivele të larta të ketaminës në gjak dhe humbi ndjenjat dhe më pas u zhyt në ujë, thuhet në raportin e autopsisë.

Perry raportohet se kishte marrë infuzione ketamine për depresion dhe ankth, sipas raportit, por ekzaminuesi mjekësor thotë se ketamina në sistemin e tij pas vdekjes nuk mund të ishte nga terapia me infuzion, sepse efekti i saj zgjat 3 deri në 4 orë, ose më pak. Mënyra sesi aktori e ka marrë ketaminën momentalisht është e panjohur.