Vjen reagimi i UEFA-s: Vendimi i gjykatës nuk mundëson krijimin e Superligës

Shtëpia evropiane e futbollit UEFA ka reaguar ndaj vendimit të gjykatës, i cili efektivisht mundësoi krijimin e Superligës pa vuajtjen e sanksioneve nga UEFA dhe FIFA për klubet dhe lojtarët.

“UEFA merr parasysh vendimin e lëshuar nga Gjykata Evropiane e Drejtësisë në çështjen e Superligës Evropiane. Ky vendim nuk nënkupton miratimin e të ashtuquajturës Superligë, përkundrazi ai thekson një boshllëk ekzistues në Kornizën e Autorizimit Paraprak të UEFA-s, një teknike që tashmë ishte njohur dhe adresuar në qershor 2022. UEFA është e sigurt në qëndrueshmërinë e rregullave të saj të reja dhe veçanërisht në përputhje me të gjitha ligjet dhe rregulloret evropiane,” tha UEFA në një deklaratë pasi një gjykatë vendosi në favor të krijimit të Superligës.

“UEFA mbetet e vendosur në angazhimin e saj për të mbështetur piramidën evropiane të futbollit, duke siguruar që ajo të vazhdojë t’i shërbejë interesave më të gjera të shoqërisë. Ne do të vazhdojmë të formësojmë modelin sportiv evropian kolektivisht me federatat kombëtare, ligat, klubet, tifozët, lojtarët, trajnerët, institucionet e BE-së, qeveritë dhe partnerët. Ne synojmë të ruajmë status quo-në e futbollit evropian dhe botëror sipas një modeli të konsoliduar në filozofinë e saj, por e bërë më moderne nga reformat e fundit”, shtoi UEFA.