Universiteti i Tetovës dhe Universiteti “Luigj Gurakuqi” e organizuan Konferencën Shkencore

Universiteti i Tetovës dhe Universiteti “Luigj Gurakuqi” e organizuan Konferencën Shkencore “Pikëtakime Kulturore në Arealin Ballkanik”
Në Universitetin “Luigj Gurakuqi” në Shkodër, më 11 dhjetor 2023, është mbajtur Konferenca Shkencore, me temë “Pikëtakime Kulturore në Arealin Ballkanik”. Në këtë veprimtari ku morën pjesë studiues të njohur nga Ballkani Perëndimor, Universiteti i Tetovës u përfaqësua nga dekani i Fakultetit Filologjik, Prof. Dr. Berton Sulejmani.
Në këtë ngjarje u fol për kulturën si ndërmjetësim dhe urë zhvillimi në Ballkanin Perëndimor, për etnogjuhësinë dhe debatin shkencor rreth saj, për historinë e panjohur të rrugës së famshme “Skadarlija” në Beograd, për mundësitë për të integruar lokalen te diskursi i gjerë i integrimit rajonal etj.
Prof. Dr. Rajmonda Këçira, Rektore e Universitetit të Shkodrës, në hapje të këtij aktiviteti i përshëndeti të pranishmit dhe i përgëzoi organizatorët e kësaj konference: Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, përkatësisht Fakultetin e Shkencave Shoqërore, departamentin e Gjuhësisë, departamentin e Letërsisë, Fakultetin Filologjik të Universitetit të Beogradit dhe Fakultetin Filologjik të Universitetit të Tetovës.
Ndërkaq, dekani i Fakultetit Filologjik i Universitetit të Tetovës theksoi se tubimet e tilla në frontin e gjurmimit të bashkëpunimit brendakulturor shqiptar, kanë një rëndësi të dorës së parë, sepse bashkojnë forcat dhe arritjet e rezultateve shkencore në lëmin e filologjisë.
“Është meritë dhe detyrim i përbashkët, në rend të parë, jo vetëm i tri qendrave kryesore shqiptare, por edhe i qyteteve tjera, që diku të ndërtojmë e diku t’i forcojmë urat, jo vetëm në frontin e shkencave, në këtë mes filologjik, por kujtoj që këto iniciativa duhet të na shërbejnë që t’i diskutojmë edhe mundësitë e shkëmbimit të profesorëve dhe studentëve tanë. Pse të mos e njohim më afër njëri-tjetrin? Derisa studentët tanë shkojnë nëpër qendra të ndryshme evropiane dhe botërore, pse një gjë e tillë nuk ndodh brenda universiteteve shqiptare? Ne nuk mund të mos ua duam të mirën studentëve tanë që së paku nga një semestër të studimeve të qëndrojnë nga Tetova e Shkupi, në Prishtinë e Tiranë, Prizren e Shkodër, Gjakovë, Korçë, Elbasan e Durrës dhe anasjelltas. Po, pse në këtë kohë mos t’i njohim arritjet dhe problemet e kolegëve tanë dhe kërkesat e katedrës së parë të Gjuhës Shqipe, asaj të Beogradit, për veprimtarinë e së cilës sot kemi nderin që ta kemi në mesin tonë drejtuesen e kësaj katedre, Prof. Dr. Naile Mala-imamin.” deklaroi në fjalën e tij para të pranishmëve, Prof. Dr. Berton Sulejmani dhe ndau bindjen se kontributi shkencor i tubimit të lartpërmendur do të jetë shumdimensional dhe do të paraqesë nxitje të re për afirmimin dhe ngritjen e mendimit shkencor si dhe njohjen e drejtpërdrejtë, jo vetëm të kulturës shqiptare, por edhe të kulturave të popujve të tjerë të rajonit, Evropës dhe botës.
Edhe pjesëmarrësit e tjerë shprehën pikëpamjet e tyre në lidhje me temën boshte të konferencës duke theksuar nevojën e shkëmbimit të informacionit dhe bashkëpunimit, bazuar në studimin e historisë, gjuhës, arsimit, kulturës, por edhe zhvillimeve aktuale në rajonin e Ballkanit dhe më gjerë.

Universiteti i Tetovës dhe Universiteti “Luigj Gurakuqi” e organizuan Konferencën Shkencore