Stefano Pioli vuri në dukje se një përfundim në top katërshe është vetëm “objektivi minimal” për Milanin, përpara ndeshjes së tyre në udhëtim ndaj Atalantas.
“Kuqezinjtë” kanë regjistruar dy fitore rresht së fundmi në Serie A dhe tani janë vetëm gjashtë pikë prapa liderit, Interit, pas 14 xhirosh.
Presioni ka filluar të rritet mbi Piolin, por pronari i Milanit, Gerry Cardinale, ka ruajtur besimin te trajneri, i cili i solli “Scudetton” vetëm dy vjet më parë. Pavarësisht kësaj, forma zhgënjyese në Ligën e Kampionëve këtë sezon lë ende një shije të hidhur.
Duke folur në konferencën e sotme për shtyp, Pioli fillimisht diskutoi pozicionin e Milanit në këtë fazë të sezonit të tyre dhe qëllimet e tyre të ardhshme.
“Kanë mbetur ende shumë ndeshje për të bërë renditjen përfundimtare, por është e qartë se konsistenca e rezultateve nuk mund të mungojë dhe kjo është ajo që ne kërkojmë, është objektivi ynë i madh. Një tjetër mundësi e madhe nesër. Objektivi minimal është të përfundojmë në katërshen e parë, por ne duam të bëjmë diçka më shumë”, tha ai, raporton “Tuttomercato”.
Trajneri italian gjithashtu foli edhe për kundërshtarin e nesërm, teksa u pyet nëse Atalanta mund të sigurojë top katërshen këtë sezon.
“Nuk e di. Kemi gjithmonë ndeshje të mira kundër tyre, të vështira po. Gasperini po bën një punë të shkëlqyer, ata janë një ekip i kompletuar, me cilësi dhe organizim, me fizik dhe intensitet, me mesfushorë që shënojnë. Gasperini gjithmonë u ka dhënë një identitet të saktë ekipeve të tij. Nuk do t’i vidhja asgjë sepse secili prej nesh ka idetë e veta, por ai është një koleg që e respektoj shumë”, deklaroi mes tjerash Pioli.