PD dorëzon në Kuvend projektvendimin për heqjen e plotë të imunitetit të deputetëve

Sekretari për Reformën Zgjedhore dhe përfaqësues ligjor i Partisë Demokratike, Rezart Kthupi, në një deklaratë për mediet u shpreh sot se kjo parti ka depozituar një projektpropozim në Kuvendin e Shqipërisë me qëllim krijimin e mekanizmit ligjor për heqjen e plotë të imunitetit të deputetëve.

“Projektvendimi për ndryshimin e rregullores së kuvendit krijon bazën ligjore që deputetët brenda 5 ditësh nga miratimi i propozimit dhe brenda 5 ditësh nga fillimi i legjislaturës të depozitojnë pranë kryetarit të kuvendit një deklaratë me shkrim me të cilën heqin dorë nga procedurat parlamentare për heqjen e imunitetit duke i hapur plotësisht rrugën drejtësisë në marrjen e masave ndaluese të arrestit në rastet e hetimeve penale në ngarkim të tyre”, u shpreh ai.

“Në kushtet e një drejtësie të pavarur partia demokratike vlerëson se çdo qëndrim kundër heqjes së plotë të imunitetit për deputetët është një tentative për të mos lejuar hetimin e korrupsionit të politikanëve apo të njerëzve të lidhur me ta”, tha Kthupi, duke ftuar të gjithë deputetët e Kuvendit të Shqipërisë që të votojnë projektvendimin.