Liridona Ademaj, e vrarë para tri ditësh në Sinidoll të Prishtinës, do të rivarroset nesër në Rracaj të Gjakovës, në ora 14:00.
Lajmi është bërë i ditur nga familjarët e Liridona Ademajt përmes një postimi në Facebook.
“Familja Ademaj njofton miq, shokë e dashamirë se rivarrimi i vajzës sonë Liridona Ademaj, e vrarë më datën 29.11.2023, bëhet nesër më datë 4 dhjetor 2023, në varrezat e fshatit Rracaj, në ora 14:00”, thuhet në njoftim.
Njoftimi vjen pas kërkesës së familjarëve të Liridonës drejtuar sot prokurorisë që të lejojë rivarrosjen e vajzës së tyre në Rracaj. Në njoftim nuk bëhet e ditur nëse familja ka marrë përgjigjen nga prokuroria mbi kërkesën e tyre.
Familjarët e së ndjerës në letrën dërguar Prokurorisë Themelore në Prishtinë kanë kërkuar që gjatë procedurës së zhvarrosjes dhe rivarrosjes, përmes policisë t’iu sigurohet privatësi e plotë.
Liridona Ademaj është varrosur para dy ditëve në Cërmjan të Gjakovës.
Ndryshe, Naim Murseli, bashkëshorti i Liridona Ademajt, si të dyshuar për organizimin e vrasjes, dorasi i dyshuar Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla, pjesëtar i FSK-së, kanë dalë sot në seancën fillestare në Gjykatën Themelore në Prishtinë, e cila ka vendosur nga një muaj paraburgim për secilin prej tyre.