Nënat në Afganistan, të dëshpëruara përballë varfërisë ekstreme, ushqejnë fëmijët me çaj dhe i japin ilaçe gjumi

Uria është një nga sfidat më të vështira me të cilat përballen nënat në Afganistan pas pushtimit të talibanëve. Fëmijët e tyre i ushqejnë me ç’të munden, kur nuk ka më as çaj për ta, i vendosin në gjumë të pangrënë me ilaçe qetësimi.

“Hera e fundit që munda ti blej qumësht për fëmijën tim ishte dy muaj më parë. Unë e mbush shishen me çaj. Ose e ngjyej bukën në çaj dhe pastaj e ushqej me të,” thotë Sohaila Niyazi e ulur në dyshemenë e shtëpisë së saj me tulla prej balte në një kodër në Kabulin lindor.

Sohaila është një nga 10 milionë njerëzit që kanë ndaluar marrjen e ndihmës ushqimore urgjente nga Programi Botëror i Ushqimit i OKB-së (ËFP) gjatë vitit të kaluar – shkurtime të nevojshme nga një mungesë masive fondesh.

Është një goditje e madhe për rreth dy milionë familje të drejtuara nga gratë në Afganistan. Nën sundimin e talibanëve, Sohaila thotë se nuk mund të dalë në punë dhe të ushqejë familjen e saj.

“Ka pasur netë kur nuk kemi pasur asgjë për të ngrënë. Unë u them fëmijëve të mi, ku mund të shkoj të lyp në këtë orë të natës? Ata flenë të uritur dhe kur zgjohen pyes veten se çfarë duhet të bëj.”

Për të qetësuar vajzën e saj të uritur, Sohaila thotë se i jep “ilaç gjumi”.

“Unë ia jap që ajo të mos zgjohet dhe të kërkojë qumësht sepse nuk kam qumësht për t’i dhënë.Jam shumë e trembur për këtë prandaj e kontrolloj herë pas herë, nëse është gjallë”

Mjekët kanë thënë se megjithëse është më pak i dëmshëm se qetësuesit dhe antidepresantët nëse jepet në doza më të larta ilaçi mund të shkaktojë shqetësime të frymëmarrjes.

Sohaila thotë se burri i saj ishte një civil i vrarë nga zjarri në provincën Panjshir në vitin 2022, në luftimet midis forcave talibanët dhe atyre që i rezistonin sundimit taliban. Ndihmat mbulojnë vetëm një të katërtën e atyre që përjetojnë uri akute.