Bashkëshorti i Liridona Ademajt, i dyshuar për organizimin e vrasjes së viktimës, ka hyrë në Gjykatën Themelore të Prishtinës nga një hyrje tjetër dhe larg mediave.
Ndërkohë, ende nuk ka informata nëse janë në gjykatë apo do të sillen edhe dy të dyshuarit tjerë, dorasi Granit Plavës dhe Kushtrim Kokalla, pjesëtar i FSK-së.
Seanca ishte paraparë të nisë në orën 09:30. Aty ka arritur edhe vëllai i Liridona Ademjajt, Leonardi.
Krejt çka dihet për vrasjen?
Liridona Murseli, 30-vjeçare, është vrarë të mërkurën, më 29 nëntor, në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë.
Fillimisht, Policia e Kosovës, e ka raportuar rastin si “grabitje me pasoja të vrasjes”.Dy ditë më vonë, më 1 dhjetor, Policia ka njoftuar për arrestimin e dy personave: dorasin G.P dhe N.M, bashkëshortin e viktimës, të dyshuar për vrasjen e saj.
Mediat lokale në Kosovë e kanë identifikuar bashkëshortin si Naim Murseli.Pak orë më vonë, Ministria e Mbrojtjes e Kosovës, ka konfirmuar se në mesin e të arrestuarve për këtë rast, si i dyshuar, është edhe Kushtrim Kokalla, pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës.
“Murseli e ka porositur vrasjen”
Betimi për Drejtësi – medium i specializuar në fushën e sundimit të ligjit në Kosovë – ka raportuar, bazuar në burime se, i dyshuari Naim Murseli e ka pranuar para hetuesve se e ka porositur vrasjen për bashkëshorten e tij.
“Burime të ‘Betimi për Drejtësi’ bëjnë të ditur se i dyshuari Murseli ia kishte dhënë të dyshuarit Granit Plavës, 15 mijë euro para vrasjes, e 15 mijë të tjera do t’ia jepte pas kryerjes së veprës”, është thënë në raportimin e këtij mediumi.
Autoritetet e drejtësisë ende nuk e kanë bërë të ditur motivin e kësaj vrasjeje. Policia e Kosovës ka thënë se ka kryer bastisje në Gjakovë dhe ka arritur të sekuestrojë armën, me të cilën dyshohet të jetë kryer vrasja. Familjarët dyshojnë se vrasja është porositur për shkak të përfitimit të sigurimit të lartë që kishte paguar Liridona për të, në rast se do t’i ndodhte ndonjë fatkeqësi asaj dhe fëmijëve.