Në një intervistë ekskluzive për Radion Evropa e Lirë, presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, tha se ai ende është duke punuar në “planin A” sa i takon dhënies së dritës jeshile për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit me Ukrainën dhe Moldavinë dhe për t’i dhënë Gjeorgjisë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkim Evropian në një samit të rëndësishëm të BE-së që do të mbahet më 14 dhe 15 dhjetor në Bruksel.
Bisedime të shumta i kanë paraprirë këtij samiti.
Ato janë fokusuar në faktin nëse do të mund të shtyhet procesi për shkak të vështirësive në gjetjen e konsensusit ose nëse vendimi për Ukrainën, në një mënyrë ose tjetër, mund të shkëputet nga vendimet për vendet e tjera.
Por, Michel nxitoi të hidhte poshtë këtë duke thënë se ai dhe kolegët e tij në KE po punojnë në propozimin për hapjen e negociatave të anëtarësimit në BE me Ukrainën dhe Moldavinë dhe dhënien e statusit kandidat për Gjeorgjinë.
Radio Evropa e Lirë: Pra, do të filloj me një temë mjaft të pritshme. Samiti i ardhshëm i BE-së pritet të jetë dramatik për shkak të të ashtuquajturit faktor hungarez në agjendën e Ukrainës. Megjithatë, ne – po edhe ju, sigurisht – kemi parë shumë përparime në minutën e fundit gjatë historisë së samitit. A mund të flasim për këtë kur bëhet fjalë për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit të Ukrainës? A mund ta presim një rezultat të tillë?